Drejtoria e Përgjithshme Detare ka sqaruar se lajmi i publikuar ditën e sotme lidhur me rifillimin e udhëtimeve me traget drejt Italisë është i pavërtetë.
Në një njoftim zyrtar në faqen në Facebook, drejtoria thekson se transporti i udhëtarëve me Italinë mbetet i pezulluar deri në një njoftim të dytë.
“SQARIM! Drejtoria e Përgjthshme Detare dhe Autoriteti Portual Durrës, sqarojnë se:
Lajmi i komunikuar ditën e sotme në mënyrë të njëanshme nga Kompania e trageteve “Ventouris Ferries” lidhur mbi rikthimin e trafikut të pasagjerëve me Italinë, NUK ËSHTË I VËRTETË!
Transporti detar për PASAGJERËT nga dhe drejt Italisë mbetet ende i pezulluar deri në një urdhër të dytë të Autoriteteve shqiptare dhe italiane!
I kërkojmë kompanive private që operojnë në hapësirën portuale të mos shpërndajnë njoftime të paverifikuara në rrugë zyrtare, sidomos në situatën në të cilën ndodhemi!
Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për këtë situatë!” – thuhet në njoftim.