Ambasadorja Amerikane në Tiranë Yuri Kim, gjatë një interviste në Euro News Albania duke folur për Reformën në Drejtësi u pyet edhe për ngërçin me anëtarin e Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani të cilit i ka mbaruar mandati dhe se Këshillit të Lartë Gjyqësor i duhet që të marrë vendim për të.
Në kushtet kur KLGJ-ja ka kërkuar mendim nga OPDAT dhe EURALIUS, për Yuri Kim qeveria e gjyqësorit duhet të ketë fjalën e fundit.
“Mendoj se gjykatat duhet të shfrytëzojnë të gjitha burimet që kanë në dispozicion, përfshi këshillat teknike, por në fund duhet të ndjekin ligjin dhe duhet të jenë në gjendje të tregojnë se janë të aftë të marrin vendime mbi një bazë që demonstron pavarësi dhe integritet. Ata nuk duhet të lejojnë asnjë faktor të jashtëm që të ndërhyjë në procesin vendimmarrës. Sigurisht, siç e thashë më parë, cilido është i lirë të shprehë mendimin e vet; unë mund ta shpreh, ti mund ta shprehësh, cilido mundet. Por në fund të ditës, vlera e një gjykate në këtë kuadër të reformës në drejtësi është që ato të funksionojnë me pavarësi dhe integritet”-tha Kim.
Pjesë nga intervista:
Ilva Tare: Ambasadore, në prill u takuat me Kreun e KED dhe Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani, për të cilin presidenti i ka kërkuar KLGJ-së ta shkarkojë sepse i ka skaduar mandati që në vitin 2014. KLGJ ka kërkuar opinionin e OPDAT dhe EURALIUS përpara se të vendosë. Cili është opinioni juaj për këtë çështje?
Ambasadorja Kim: Mendoj se gjykatat duhet të shfrytëzojnë të gjitha burimet që kanë në dispozicion, përfshi këshillat teknike, por në fund duhet të ndjekin ligjin dhe duhet të jenë në gjendje të tregojnë se janë të aftë të marrin vendime mbi një bazë që demonstron pavarësi dhe integritet. Ata nuk duhet të lejojnë asnjë faktor të jashtëm që të ndërhyjë në procesin vendimmarrës. Sigurisht, siç e thashë më parë, cilido është i lirë të shprehë mendimin e vet; unë mund ta shpreh, ti mund ta shprehësh, cilido mundet. Por në fund të ditës, vlera e një gjykate në këtë kuadër të reformës në drejtësi është që ato të funksionojnë me pavarësi dhe integritet.
Ilva Tare: Pra, pavarësisht nga opinion i OPDAT apo EURALIUS, është përgjegjësia e KLGJ që të marrë një vendim?
Ambasadorja Kim: Absolutisht.
Ilva Tare: Sepse mund ta thonë si alibi se kjo është ajo që duan ndërkombëtarët…
Ambasadorja Kim: Është koha për t’u ngritur në lartësinë e detyrës. Të ngrihen në këmbët e tyre. T’i tregoni popullit shqiptar se mund të funksiononi. Është koha.