Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zbritur sot në terren për të parë nga afër situatën me bizneset, duke biseduar me qytetarët.
Kryedemokrati ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale lidhur me këtë takim, ku ngre shqetësime mbi situatën që po kalon biznesi i vogël për shkak të pandemisë.
Basha thotë se qytetarët i janë ankuar se nuk kanë marrë asnjë lekë si ndihmë për kohën e kaluar mbyllur në shtëpi.
“Pjesa më e madhe e qytetarëve që takoj në Tiranë i kanë respektuar rregullat e higjienës dhe të distancimit social. Megjithatë shqetësim serioz mbetet situata ekonomike e rënduar nga pandemia e COVID-19. Janë të shumtë qytetarët që nuk kanë marrë asnjë lekë ndihmë për kohën e kaluar mbyllur në shtëpi. Edhe bizneset përballen me vështirësi të mëdha. Mungesa e ndihmës rrezikon mbylljen e shumë prej tyre ndërsa të shumtë janë dhe ata që janë detyruar të heqin të punësuar nga listëpagesat.
Qeveria Rama i la pa ndihmë shumicën e qytetarëve dhe bizneseve. Rinisja e aktivitetit normal është shumë e vështirë për ta tashmë që veç faturave dhe taksave të larta, përballen me uljen e numrit të blerësve dhe ankthin për të ardhmen e pasigurt.
Xhepat e shqiptarëve janë shkundur nga pandemia ekonomike e qeverisë Rama. Asnjë formë propagande dhe cirku qeveritar nuk e fsheh dot pasigurinë dhe varfërinë e tejskajshme që po pllakos në familjet shqiptare.”, shkruan Basha.
Këtë mesazh kryedemokrati e ka shoqëruar me një foto ku shihet përballë një dyqani bosh që ka nxjerrë njoftim se “jepet me qira”.