Tesla ka rihapur fabrikën e vetme të veturave amerikane elektrike në Kaliforni, pavarësisht urdhrave të autoriteteve lokale kundër prodhimit.
Të hënën, shefi ekzekutiv i kompanisë Elon Musk shkroi në Twitter se prodhimi kishte rifilluar dhe se ai do të ishte “në linjë me të gjithë të tjerët”. Ai madje shton se nëse dikush arrestohet, kërkon që të jetë vetëm ai.
Siç shkruan BBC, qeveritë lokale në SHBA janë duke u përpjekur të përcaktojnë mënyrën më të mirë për t’u hapur pas bllokimit. Musk ishte zotuar më parë se do të zhvendoste selinë e firmës jashtë Kalifornisë, nëse fabrika nuk lejohej të rihapet.
Ndërsa shteti i Kalifornisë i ka lehtësuar kufizimet për prodhimin, qarku Alameda, ku ndodhet uzina e Fremontit, nuk e ka bërë këtë. Qyteti është rreth një orë në jug të San Francisko-s.
Të shtunën, Elon Musk tha që Tesla kishte ngritur një padi kundër qarkut duke i kërkuar gjykatës të hiqte urdhrin që ndalon prodhuesin e makinave të rifillojë prodhimin. Por në vend që të priste për një vendim, Musk njoftoi në Twitter se uzina do të rihapet. Departamenti lokal i policisë tha se ishte në dijeni të situatës, por se do të vepronte në diskrecionin e zyrtarëve shëndetësor të qarkut.