Partia Demokratike ka paditur në prokurori, kryebashkiakun e Dibrës, Dionis Imeraj, lidhur me zhvillimin e një tenderi për linjën e furnizimit me ujë të pijshëm në këtë bashki.
Në një deklaratë për mediat, kreu i degës së PD-së në Dibër, Naim Gazidede, tha ndër të tjera se ndërsa vendi përballet me pandeminë Covid-19 me një ekonomi të rrënuar, mijëra biznese që rrezikojnë të falimentojnë, me numrin e të papunëve që rritet dita-ditës, kryebashkiaku i Dibrës mendon për tendera.
“Partia Demokratike Dega Dibër më datë 4.05.2020 ka denoncuar ne Prokurorinë e Posaçme SPAK dhe KLSH për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, kryetarin e pazgjedhur të Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj, dhe personat e tjerë përgjegjës për zhvillimin e tenderit me objekt ‘Ndërtim i linjës së furnizimit me ujë të pijshëm Gurra e Epërme-Luzni-Peshkopi’. Situata e sotme ekonomike shumë e rëndë, shkaktuar nga pandemia Covid-19 dhe shpallja e fatkeqësisë natyrore që çoi në shkatërrim të ekonomive të dobëta familjare, që çoi në rrezikun e falimentimit të biznesit, ku numri i të papunëve rritet çdo ditë, kjo situatë duhet të diktonte një vëmendje të shtuar të bashkisë, ku prioritet i prioriteteve do të ishte ndihma, përkrahja, mbështetja për familjet në nevojë, bizneset, fermerët, blegtorët etj.” – tha ai.
Gazidede shtoi se Imeraj duhet të merrte parasysh udhëzimet e APP-së për të anuluar tenderin në fjalë por duke mos e bërë këtë gjë, ka kryer shpërdorim detyre.
Për këtë arsye vijoi ai, është paditur në SPAK dhe i është kërkuar prokurorisë e KLSH-së që të nisin sa më shpejt hetimet e të ndalojnë vjedhjet me tenderat publikë.
“Për fatin e keq vëmendja e kryetarit të bashkisë dhe bashkëpunëtorëve të tij ishte përqëndruar në prokurimin e Ndërtimit të Ujësjellësit të sipërpërmendur në paligjshmëri të plotë, duke sfiduar jo vetëm situatën e krijuar nga pandemia, por edhe Agjencine e Prokurimit Publik, e cila, në mbështetje të nenit 13 të Ligjit Nr. 9643 datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, sjell në vëmendje si më poshtë vijon: “Autoritetet kontraktore duhet të vijojnë procesin e prokurimit vetëm për ato procedura prokurimi që lidhen ngushtësisht me mbulimin e nevojave te dala në kuadër të situatës së shkaktuar nga pandemia Covid 19 dhe që konsiderohen të domosdoshme. Në kuptim të sa më sipër, autoritetet kontraktore të pezullojnë të gjitha procedurat e prokurimit, përfshirë këtu edhe procedurat e prokurimit me vlerë të vogël, për objekte prokurimi, të cilat nuk lidhen ngushtësisht me këtë situatë. Gjithashtu, të pezullohen edhe ato procedura prokurimi që janë në proces, objektet e të cilave nuk lidhen me situatën e shkaktuar nga pandemia. Në këto kushte, Bashkia Dibër duhet të merrte në konsideratë Udhezimet e APP-së dhe duhet të pezullonte menjëherë procedurat e tenderimit. Me këto veprime, Kryetari i Bashkisë Dibër, duke zhvilluar tenderin me datë 4.05.2020 ka kryer vepren penale “shpërdorim detyre”. Ndaj kemi kërkuar nga SPAK dhe KLSH të nisin sa më shpejt hetimet dhe të ndalojnë vjedhjet dhe babëzitë me tenderat publikë. Me regjistrimin penal të kësaj çështjeje nga SPAK, ne kërkojmë që drejtësia të jetë e shpejtë dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ata që e kanë mendjen tek vjedhjet, kur dibranët dhe shqiptarët janë pa mbështetje dhe gjendja po përkeqësohet.” – përfundoi deklaratën kreu i degës së PD-së në Dibër.