Kreu i qeverisë ka deklaruar sot se qeveria nuk tërhiqet për sa i përket prishjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të teatrit të ri.
Ai e bëri deklaratën në një videokonferencë me gazetarët ku ndër të tjera tha se pakicat nuk mund t’u imponohen shumicave.
“Ai është një proces për të cilin unë jam shprehur, nuk e di sa vite u bënë. Jam njeriu i fundit që duhet të pyesni për ndonjë hap mbrapa, jam i pari që e kam thënë që në 1998-99, në ato vite që ajo godinë duhet të shembet dhe Shqipëria duhet të ketë një teatër të denjë. Të gjitha argumentet janë ezauruar. Të gjithë kanë të drejtë të kenë opinionet e tyre, por në fund vendos shumica. Ne jemi shumica dhe e kemi marrë këtë vendim dhe nuk shoh sesi pakica të caktuara mund të imponojnë në cdo formë vendimmarrje, që lidhen me kompetencat e pushtetit të mandatuar nga populli.” – tha Rama.
Lidhur me çështjen e kanabisit, kryeministri tha se nuk ishte këshilluar me delegaconin e BE-së duke shtuar se lidhur me këtë çështje këshillimet po bëhen me ekspertë të fushës në disa vende ku ka pasur një përvojë të tillë.
“Nuk jemi konsultuar me Delegacionin e BE për legalizimin e kanabisit. Konsultimet po i bëjmë me ekspertë të fushës në disa vende, ku ka pasur eksperienca jo të legalizimit të hashashit, por të futjes në jetën ekonomike dhe veprimtarinë sipërmarrëse të vendit të përpunimit të kanabisit mjekësor.” – theksoi kryeministri.