Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka intimiduar sot gazetaren Syri.net teksa ajo është përpjekur t’i bëjë një pyetje lidhur me pagesat e mjekëve e infermierëve.
Në përfundim të deklaratës se deputetes socialiste, Klodiana Spahiu, gazetarja e Syri.net i është drejtuar dyshes Balla-Spahiu duke i pyetur për pagesat e personelit shëndetësor në rrethe, që gjithashtu janë përballur me pacientë me Covid-19.
Siç duket në video, Balla fillimisht e largon gazetaren duke i vënë dorën në sup e më pas e intimidon duke i thënë se pronarët e Syri TV kanë probleme me deklarimin e pasurisë.
“Ju mund të vini te Kuvendi i Shqipërisë dhe ju lutem ruani distancën. Televizioni juaj ka probleme me deklarimin e pasurisë së pronarëve.” – tha ndër të tjera Balla teksa i drejtohej gazetares.
Gazetari i Syri TV, Bledian Koka sqaron me një njoftim në Facebook, se televizioni është njoftuar nga zyra për shtyp e Taulant Ballës për të pasqyruar një veprimtari ditore.
Ai thekson se kreu i grupit parlamentar të PS-së ka intimiduar gazetaren që po i bënte një pyetje duke thënë se do mbajë përgjegjësi deri në fund për sjelljen e tij.
*(Video Credit: Syri.net)