Reperi amerikan i njohur me pseudonimin “6ix9ine” ka dhuruar një shumë prej 200,000 dollarë për fëmijët në nevojë, por kërkesa e tij është refuzuar.
Siç shkruan BBC, fushata ‘No Kid Hungry’ tha se ka një politikë që i hedh poshtë fondet nga donatorët që nuk përputhen me vlerat e saj.
“Ne jemi mirënjohës për ofertën bujare të Z. Hernandez për t’i dhuruar No Kid Hungry, por ne kemi njoftuar përfaqësuesit e tij se e kemi refuzuar këtë dhurim. Si një fushatë e përqendruar tek fëmijët, është politika jonë të hedhim poshtë fondet nga donatorët, aktivitetet e të cilëve nuk përputhen me misionin dhe vlerat tona”- tha një përfaqësuese e ‘No Kid Hungry’.
Reperi, emri i vërtetë i të cilit është Daniel Hernandez, ka qenë në burg për krime si pjesë e një bande të dhunshme. Ai madje është akuzuar dhe për përfshirjen në veprat seksuale të fëmijëve në 2015-ën.
Me anë të një postimi në Instagram, tanimë i fshirë, 6ix9ine bëri të ditur se do të dhuronte 200,000 dollarë në fushatë, për të ndihmuar fëmijët në nevojë në SHBA.
Por pas refuzimit që iu bë, ai e quajti vendimin e organizatës bamirëse si “mizor“.