Në një video të publikuar në YouTube disa ditë më parë, një grua thotë se koronavirusi po fajësohet gabimisht për shumë vdekje dhe se në të vërtetë bëhet fjalë për një komplot të elitave si Bill Gates dhe Dr.Anthony Fauci, për ta përdorur pandeminë e koronavirusit për të përfituar dhe për të rrëmbyer pushtetin politik. Gruaja në video është një virologe mjaft e njohur në SHBA, Judy Mikovits.
Mikovits e akuzon gjithashtu Faucin, i cili është kreu i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive të SHBA (NIAID) dhe një anëtar i shquar i Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, se është përgjegjës për vdekjen e miliona gjatë viteve të para të pandemisë HIV/AIDS .
Dr Mikovits thotë se sulmet e doktor Faucit mbi punën e saj datojnë që nga vitet 1980, kur ajo kontribuoi për kërkime në Institutin Kombëtar të Kancerit si studente e diplomuar.
Në videon që tanimë është fshirë nga rrjeti, Mikovits pretendon se ishte pjesë e ekipit që zbuloi HIV, revolucionarizoi trajtimin me HIV dhe u burgos pa akuza për pozicionet e saj shkencore.
Mikovits pretendon se Dr. Fauci ka përgjuar studimet e saj mbi HIV për të fituar para nga patentat, e kërcënoi atë dhe më pas i mori meritat për çuarjen përpara të trajtimit të HIV-it.
Videoja në fjalë është një fragment nga një film i ardhshëm “Plandemic”, i cili premton të “ekspozojë elitën shkencore dhe politike që drejtojnë mashtrimin e sistemit shëndetësor global”. YouTube, Facebook dhe platforma të tjera thonë se e kanë hequr videon për shkak të pasaktësive.
Por kush është Judy Mikovits?
Mikovits filloi karrierën e saj si teknike laboratori në Institutin Kombëtar të Kancerit (NCI) në vitin 1988. Ajo u bë shkencëtare dhe fitoi një doktoraturë në biokimi dhe biologji molekulare nga Universiteti George Washington në vitin 1991, shkruan Sciencemag. Deri në vitin 2009, ajo ishte drejtore kërkimore në Whittemore Peterson Institute (WPI), një qendër private kërkimore në Reno, Nevada, por ajo mbeti kryesisht e panjohur për komunitetin shkencor. Atë vit, megjithatë, ajo ishte bashkëautore e një punimi në Science, që sugjeronte se një agjent i errët i quajtur virusi kenotropik i lidhur me leuçeminë (XMRV) shkakton sindromën e lodhjes kronike (CFS).
Shkaku i lodhjes kronike, kishte mbetur prej kohësh i pakapshëm, dhe sëmundja ishte lënë pas dore nga shkenca. Studimi krijoi shpresë se ajo mund të bëhej e shërueshme me antiviralë. Disa pacientë madje filluan të marrin ilaçe antiretrovirale të përdorura nga njerëz të infektuar me HIV. Por gazeta gjithashtu krijoi shqetësime që XMRV mund të përhapet përmes furnizimit me gjak.
Studiues të tjerë shpejt vunë në dyshim gjetjet e këtij punimi dhe gjatë 2 viteve të ardhshme, pretendimet e gazetës u hodhën poshtë. Studiuesit treguan se XMRV u krijua aksidentalisht në laborator gjatë eksperimenteve me minj dhe se kurrë nuk mund të ketë infektuar ndonjë njeri.
Dy muaj më vonë, i gjithë punimi shkencor u tërhoq. Mikovits refuzoi të nënshkruajë njoftimin e tërheqjes, por më vonë mori pjesë në një përpjekje tjetër madhore për ta përsëritur.
Ky studim prej 2.3 milion dollarë, sipas Mikovits ishte “përgjigjja përfundimtare”. Studimi rigoroz kërkoi për XMRV në mostrat e gjakut të rreth 300 njerëzve, gjysma e të cilëve kishin sëmundjen, dhe asnjëri nuk kishte virus. “Nuk ka asnjë provë që XMRV është një patogjen njerëzor”- pranoi Mikovits.
Departamenti i lajmeve i shkencës, ndoqi nga afër sagën dhe publikoi një shkrim të holllësishëm për këtë në shtator 2011. Historia fitoi një çmim nga Shoqata Amerikane për Mikrobiologji.
Në të njëjtën kohë Mikovits po përballej me një vështirësi. Instituti ngriti padi kundër saj në nëntor të vitit 2011 për gjoja marrjen e fletoreve laboratorike dhe mbajtjen e informacioneve të tjera pronësore në laptopin e saj, në disqet flash dhe në një llogari personale email-i. Ajo u arrestua në Kaliforni me akuzat se ishte një e arratisur nga drejtësia dhe u burgos për disa ditë. Prokurorët në Nevada, përfundimisht i hoqën akuzat penale kundër saj në qershor të vitit 2012.
Po Anthony Fauci?
Nëse Dr Anthony Fauci e thotë diçka, amerikanët e besojnë. Ndërsa koronavirusi është përhapur në të gjithë botën duke ndryshuar përditshmërinë e njerëzve, Dr.Fauci, është bërë zëri i besuar në Shtetet e Bashkuara për të ndarë faktet nga trillimet.
Ai është drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në SHBA.
Që nga janari i vitit 2020, ai ka qenë një nga anëtarët kryesorë të Task Forcës së koronavirusit të Shtëpisë së Bardhë të Administratës Trump duke iu drejtuar pandemisë COVID-19 në Shtetet e Bashkuara.
Si mjek në Institutin Kombëtar të Shëndetit (NIH), Fauci ka shërbyer për shëndetin publik amerikan në kapacitete të ndryshme për mbi 50 vjet, dhe ka qenë këshilltar i çdo presidenti amerikan që nga Ronald Reagan.
Ai ka dhënë kontribute në hulumtimin e HIV/AIDS dhe imunodefiçiencave të tjera, si shkencëtar dhe si drejtues i NIAID në NIH.
Fauci ka kontribuar në të kuptuarit se si HIV shkatërron mbrojtjet e trupit që çojnë në përparimin e AIDS. Ai ka përshkruar mekanizmat e induksionit të shprehjes së HIV-it nga citokinat endogjene. Fauci ka punuar për të zhvilluar strategji për terapinë dhe rikonstruksionin imunitar të pacientëve me sëmundje, si dhe për një vaksinë për të parandaluar infeksionin HIV.
Fauci është një anëtar i Task Forcës për Koronavirusin i Shtëpisë së Bardhë e krijuar në fund të janarit 2020, nën Presidentin Trump, për t’u marrë me pandeminë e koronavirusit. Ai tha se shkalla e vdekshmërisë në rastin përfundimtar të atyre që janë të infektuar ka të ngjarë të jetë më afër 1% sesa 3.4% e vlerësuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që është dhjetë herë më e lartë se 0,1% e raportuar për gripin sezonal.
Fauci ka qenë një zëdhënës i shëndetësisë publike “de fakto” për zyrën e Presidentit gjatë pandemisë dhe avokat i fortë i përpjekjeve të vazhdueshme për distancimin shoqëror në Shtetet e Bashkuara, sipas New Yorker. Më 29 Mars ai argumentoi për zgjatjen e udhëzimeve fillestare 15-ditore të izolimit, të lëshuara nga zyra ekzekutive, të paktën deri në fund të Prillit 2020. Për shkak të mosmarrëveshjeve të tij me Trump, Fauci është kritikuar nga ekspertë të krahut të djathtë dhe ka marrë kërcënime me vdekje që rezultuan në nevojën për një rritjen e sigurisë.
Por në prill pati spekulime se Trump donte ta pushonte nga Task-Forca, për shkak të një interviste që kishte dhënë në CNN ku shorehet se nëse administrata do të kishte urdhëruar qëndrimin në shtëpi më herët, “Mund të ishin shpëtuar më shumë jetë”. Trump e quajti këtë një Fake News, duke kujtuar se që në fillim kishte ndaluar fluturimet me Kinën.
Pas kësaj nisën spekulimet, por Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë. “Ky mashtrim mediatik është qesharak – Presidenti Trump nuk po e pushon doktor Faucin. Dr Fauci ka qenë dhe mbetet një këshilltar i besueshëm i Presidentit Trump.”– tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley.
Sa për dr.Faucin, ai pranuar se me presidentin nuk pajtohet për disa gjëra por se nuk ka një konflikt mes tyre. Ai madje thotë se presidenti i ka marrë parasysh të gjitha këshillat që ai ka dhënë.
“Presidenti i ka dëgjuar ato që kam thënë dhe çfarë kanë thënë njerëzit e tjerë në Task-Forcë. Kur unë kam bërë rekomandime ai i ka marrë ato”, thotë Fauci. Ai thotë se nuk është ide e mirë vënia përballë e njerëzve, kur po përballen me një problem shumë herë më të madh.
Pandemia e COVID-19 e zuri botën të papërgatitur dhe kjo solli mendime të ndryshme e madje të guximshme të shkencëtarëve, me dyshime për konspiracion dhe komplot për pandeminë. Judy Mikovits dhe Anthony Fauci janë dy shkencëtarët që momentalisht janë vënë në dy kampe të kundërta, për shkak të përplasjes së hershme të tyre dhe videos së fundit të virologes. A ka të drejtë Fauci apo Mikovitsi? A është Covid-19 një konspiracion botëror?!
VINI RE: Ky material mbështetet në artikujt e Sciencemag, New Yorker dhe faqes zyrtare të NIAID