Këshilli i Ministrave ka miratuar garancinë e dytë sovrane e cila do i vijë në ndihmë bizneseve për të lehtësuar dëmet e shkaktuar nga mbyllja për shkak të epidemisë nga koronavirusi.
Kjo garanci kap vlerën 150 milionë dollarë e cila nuk do të jetë për pagat e punonjësve por për rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar.
Vendimi:
Miratimin e garancisë shtetërore të huas me bankat tregtare për garantimin e huamarrjes së tregtarëve ose shoqërive tregtare për të mundësuar financimin e nevojshëm për rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar të ndikuar nga situata e krijuar nga covid-19, si edhe për përcaktimin e kushteve e të kritereve të marrëveshjes së garancisë dhe marrëveshjes së mirëkuptimit.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3 e 38, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Miratimin e linjës së garancisë shtetërore në vlerën 15 000 000 000 (pesëmbëdhjetë miliardë) lekë, në favor të bankave tregtare që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, pjesë e skemës së garancisë që do të mundësojë huadhënien për tregtarët dhe shoqëritë tregtare për të siguruar fondet e nevojshme për kapital qarkullues dhe investime për të mbështetur rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar që është ndikuar nga situata e krijuar nga COVID-19.
- Linja e garancisë shtetërore, që lëshohet në favor të secilës bankë tregtare, është, si më poshtë vijon:
Raiffeisen Bank sh.a. Albania, deri në vlerën 2 600 000 000 lekë;
Banka Tirana sh.a. deri në vlerën 850 000 000 lekë;
Banka Union sh.a. deri në vlerën 800 000 000 lekë;
Banka Intesa Sanpaolo Albania sh.a. deri në vlerën 1 200 000 000 lekë;
Banka Kombëtare Tregtare sh.a. deri në vlerën 2 550 000 000 lekë;
Banka OTP Albania sh.a. deri në vlerën 1 450 000 000 lekë;
Banka Procredit sh.a. deri në vlerën 600 000 000 lekë;
Banka Alpha Albania sh.a. deri në vlerën 950 000 000 lekë;
Banka Amerikane e Investimeve sh.a. deri në vlerën 650 000 000 lekë;
Banka Credins sh.a. deri në vlerën 2 800 000 000 lekë;
Banka e Bashkuar e Shqipërisë sh.a. deri në vlerën 150 000 000 lekë;
Banka e Parë e Investimeve, Albania sh.a.
deri në vlerën 400 000 000 lekë.
- Marrëveshjet e garancisë janë sipas kushteve dhe kritereve të marrëveshjes tip që i bashkëlidhet këtij vendimi.
- Ministri i Financave dhe Ekonomisë ka të drejtë që, pas 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga data e nënshkrimit të marrëveshjeve përkatëse, nëse është e nevojshme, sipas raportit të strukturës së posaçme ndërinstitucionale, i propozon Këshillit të Ministrave rialokimin e shumës së garancisë, nga huadhënësi që nuk e ka ezuaruar shumën e garancisë në favor të tij te huadhënësi që e ka ezauruar atë plotësisht.
- Autorizohet ministri i Financave dhe Ekonomisë për nënshkrimin e marrëveshjeve të garancisë me secilën nga bankat tregtare.
- Marrëveshja e mirëkuptimit, e cila nënshkruhet nga huamarrësi, përmban kushtet dhe kriteret sipas marrëveshjes tip të integruar si aneks në marrëveshjen tip të përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi.
- Kryeministri miraton me urdhër strukturën e posaçme ndërinstitucionale, e cila monitoron, shqyrton dhe raporton periodikisht pranë ministrit të Financave dhe Ekonomisë në lidhje me ecurinë e garancisë shtetërore, si dhe trajton çështje mbi mbarëvajtjen dhe unifikimin e zbatimit të parashikimeve të kësaj marrëveshjeje.
- Ministria e Financave dhe Ekonomisë mund të kërkojë këshillim/asistencë nga Banka e Shqipërisë, gjatë implementimit të marrëveshjeve të garancisë. Ky bashkëpunim mund të rregullohet edhe nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi.
- Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.