Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik, përfaqësuesi i shumicës, Gjiknuri, u shpreh se palët duhet të arrijnë konsensusin duke qenë se të gjitha çështjet sipas tij, prekin Kushtetutën.
Ai tha se ndarja më e madhe me përfaqësuesit e opozitës ka qenë lidhur me Kolegjin Zgjedhor.
“Për Kolegjin Zgjedhor ka pasur ndarje më të madhe mes palëve. Ne duam depolitizim të sistemit zgjedhor. Nuk mund të përdoren deklarata publike si sebep për të ikur nga tavolina. Jemi mbledhur për të përcaktuar disa pika që rekomandim OSBE. Rama e ka thënë se do të ulej me zotin Basha për konsensus. Ekspertët do të vazhdojnë punën që nesër. Ne duam të gjejmë zgjidhje që të ketë kompromis. Palët duhet të shprehen për cështjet që janë në tavolinë.” – tha ndër të tjera Gjiknuri.
Bylykbashi i PD-së deklaroi pas përfundimit të mbledhjes se sot shumica ishte tërhequr nga qëndrimi provokativ i ditës së djeshme i bërë nga kryeministri Rama.
Ai shtoi se shumica po kërkon që ta miratojë e vetme Kodin Zgjedhor duke shtuar se opozita nuk do heqë dorë nga kërkesat e saj që janë Administrata zgjedhore, Kolegji Zgjedhor dhe qeveria tranzitore.
“Sot u mblodh Këshilli Politik. Debatet ishin shumë të forta për shkak të deklaratave të djeshme të kryeministrit Rama. Rama deshi të minojë progresin me reformën. I bëmë të qartë maxhorancës se kushtet tona janë aty, ne nuk tërhiqemi prej tyre. S’mundet që në asnjë mënyrë që kryeministri të marrë në xhep administratën zgjedhore, duke emëruar militantë politikë të veshur si të pavarur, e po ashtu as Kolegjin Zgjedhor për t’ju vënë vulën manipulimeve. Kjo është e pandryshueshme. Pavarësisht se kush ka qenë në opozitë, ose jo. Ne do t’i shtojmë procesit zgjedhor garanci të tjera, që do të bëjnë të vështirë manipulimin. Në debatin tonë, bëmë të qartë qëndrimin tonë. Maxhoranca u tërhoq nga ato qëndrime që dje në mënyrë provokative Edi Rama bëri. Ai prononcim, pikërisht kur këshilli politik po fillonte punën. Duket qartë se tentohet që të nxirret nga binarët. Ai kërkon që të miratojë me votat e tij kodin zgjedhor dhe jo me opozitën. Kolegji zgjedhor të jetë i përzgjedhur prej tij. Ne nuk e lejojmë dhe në këtë këshill nuk pranohet. Sot debati ishte i fokusuar tek kjo çështje, jo tek detajet e propozimet konkrete. Ajo që bëjmë të qartë ne është se maxhoranca s’do e bëjë vetëm ndryshimet në kodin zgjedhor. Ne u përpoqëm që të inkuadronim bazat e kompromisit të të janarit. Ai që është mëkatari i madh jo vetëm politik, që është dhe për zgjedhjet, është kryeministri dhe i fundit që mund të flasë për standardet dhe zgjedhjet e shqiptarëve.” – tha Bylykbashi.