Vendosni fjalën kyçe....

Avokati i Popullit nis shqyrtimin e procedurës së kalimit në pronësi të Teatrit Kombëtar te Bashkia e Tiranës


Avokati i Popullit ka nisur procedurat për shqyrtimin e kërkesës së “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit” në lidhje me vendimin për kalimin në pronësi të Teatrit Kombëtar te Bashkia e Tiranës.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka marrë një ditë më parë një kërkesë nga ana e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”, një grupim qytetarësh të identifikuar si aktivistë që shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj vendimmarrjeve të institucioneve shtetërore kundrejt godinës së Teatrit Kombëtar.

Në dokumentin e dërguar, kërkohej nisja e hetimit administrativ dhe nxjerrja e rekomandimeve përkatëse nga ana e institucionit të Avokatit të Popullit në lidhje me një Vendim të Këshillit të Ministrave për kalimin e pronësisë së Teatrit Kombëtar te Bashkia e Tiranës.

Institucioni i Avokatit të Popullit, i cili sikurse sanksionohet në mandatin e tij kushtetues, vihet në lëvizje me anë të mekanizmit të ankesës, me të marrë këtë kërkesë në mënyrë të menjëherëshme ka nisur punën në lidhje me këtë çështje.

Në përputhje me këtë mandat dhe në respekt të kufizimeve të nenit 25 të Ligjit për Avokatin e Popullit, Këshillit të ministrave i është adresuar një kërkesë zyrtare për informacion në lidhje me VKM-në Nr. 377, datë 08.05.2020 “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë Nr. 1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”-thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se AP, i ka kërkuar relacionin për vendimin e Këshillit të Ministrave për procedurën e kalimit në pronësi të TK te Bashkia e Tiranës.

“Avokati i Popullit ka kërkuar nga Këshilli i Ministrave relacionin e këtij projektvendimi, procesverbalin e mbledhjes në të cilin është marrë ky vendim, si dhe informacion nëse është ndjekur ndonjë procedurë konsultimi me institucionet shtetërore apo me publikun përpara miratimit të tij.

Avokati i Popullit po shqyrton nëse veprimet e institucioneve shtetërore janë kryer në shkelje të të drejtave të qytetarëve dhe shumë shpejt do të dalë me një qëndrim zyrtar për gjetjet nga ky proces.

Gjithashtu Avokati i Popullit i inkurajon qytetarët që ta përdorin në mënyrë thelbësore, të arsyeshme dhe të strukturuar mekanizmin e ankesës pranë këtij institucioni, pasi vetëm kështu do të mund të maksimalizohen rezultatet e pritshme nga puna e këtij institucioni të shtetit shqiptar.

Institucioni i Avokatit të Popullit mbron dhe promovon të drejtat e njeriut nga veprimet arbitrare të institucioneve shtetërore. Ai ka për qëllim që përmes instrumentit të rekomandimit ta përmirësojë sjelljen dhe qasjen e këtyre institucioneve ndaj të drejtave të qytetarëve tanë në raport me shtetin”.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *