Kreu i Partisë Demokratike, Basha ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e agjencive turistike në qytetin e Durrësit.
Më herët ai takoi në qytetin bregdetar edhe tregtar3 t, të cilët iu ankuan për mungesën e ndihmës financiare nga qeveria.
Gjatë takimit me operatorët turistikë, kryedemokrati tha se ky sektor është më i godituri nga pandemia dhe tërmeti i nëntorit të vitit të shkuar.
Ai tha gjithashtu se deri tani qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të ndihmuar operatorët turistikë.
“Turizmi në Durrës është padyshim sektori më i goditur nga pandemia dhe tërmeti i nëntorit. Deri më sot qeveria Rama nuk ka marrë asnjë masë konkrete për të ndihmuar operatorët turistikë, hotelerinë dhe biznesin e turizmit që janë dhe burimi kryesor i të ardhurave për familjet durrsake. Në takim me disa prej tyre u njoha me problemet e mëdha me te cilat po përballet turizmi në Durrës ndërsa shqetësimet e operatorëve deri më sot kanë rënë në vesh te shurdhër. Problemet e tyre janë të lidhura me mungesën e mbështetjes financiare, hapjen e kufijve tokësorë dhe koordinimin me Kosoven por dhe me Maqedoninë e Veriut, e Malin e Zi për të stimuluar turizmin kombëtar dhe rajonal.” – shkruan Basha.
Më tej Basha përmend kërkesat që kanë opertatorët e turizmit në Durrës duke i renditur në reagimin e tij në Facebook ndërsa thekson se Ramavirusi që ka prekur çdo sektor të ekonomisë është vdekjeprurës për shkak të masave kaotike dhe mosdhënies së ndihmës nga ana e qeverisë.
“Operatorët e turizmit në Durrës kërkojnë:
- Ndihmën financiare, me qëllim mbajtjen në punë të punonjësve të sektorit dhe subvencionimin e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore.
- Sigurimin e likuiditetit përmes skemave të garancisë shtetërore pa kosto për biznesin.
- Anullimin apo shtyrjen e detyrimeve tatimore qëndrore dhe lokale, të cilat vazhdojnë të vijnë rregullisht.
- Bashkëpunim me vendet e tjera, sidomos me fqinjët, për rakordimin e politikave dhe hapjen e mundësive për turizëm.
- Rishikimin e tarifave për plazhet dhe heqjen e tarifave për vendet e vizitave apo institucionet kulturore që do të vizitohen nga turistët.
Ramavirusi që ka prekur çdo sektor të ekonomisë shqiptare, për turizmin është vdekjeprurës për shkak të masavë kaotike dhe mosdhënien e ndihmës nga ana e qeverisë. Shqiptarët varfërohen, turizmi po lëngon ndërsa Edi Rama mendon të pasurojë vetëm oligarkët e tij duke i vënë në dispozicion pasuritë dhe lekët e shqiptarëve.” – mbyll Basha reagimin.