Vendosni fjalën kyçe....

E para dramë në jetimore


Nga Telnis Skuqi

Në fëmijëri, kisha një drejtoreshë, Fatbardha quhej, ishte e pabesë, të bënte keq, e kishte në gjak ligësinë, sepse nuk dinte të bënte kurrë mirë.

Atëherë isha fëmijë i shkathët. Futbolli ishte ëndrra ime fëminore. Portën e kisha pasion. Nuk kishte bir nëne të më shënonte gol me lehtësi.

Fatkeqësia ime ishte e dyfishtë.

Së pari isha jetim, dhe, së dyti kisha një biografi të keqe nga prindërit e mi të deklasuar politikisht, por unë këtë fakt nuk e dija atëherë. E mësova shumë vonë.

Sot, pas shumë vitesh, 30 vite ndoshta, kam komunikuar me një mikun tim të vjetër, Ilir Kakacaj.
Ai ishte tip, orator i shkëlqyer, nuk e njihte frikën, dhe tepër i vendosur.

Me këtë tip na lidh një dramë që përjetuam të dy së bashku, 13 vjeç ishim.

Ishte maj 1989. Binte shi me breshëri. Nuk pushonte jqr. Më la pa stërvitje, por e gjeta mënyrën.

Vendosa të luaj në korridorin e katit të parë të jetimores së Sarandës. Aty ishte shtëpia ime prej 7 vitesh.
Gjatë stërvitjes ky tipi ishte gjuajtësi, unë pritësi. Gjuaj e prit, gjuaj e prit, topi përfundon në bustin e Enver Hoxhës që ishte pas portës sime.

U shkatërrua plotësisht dhe bashkë me të edhe jeta ime dhe e mikut tim.

Për drejtoreshën e atëhershme ishte një shans i mirë për të na hequr qafe.

Brenda një jave më bënë gjyqin, jo në gjykatë, sepse ishim të mitur, por gjyqtarët erdhën në jetimore dhe na e bënë gjyqin aty.

Kryegjyqtarja quhet Mine P., ndërsa dëshmitarë kundër nesh ishte personeli i jetimores.
Unë dhe miku im nuk po e kuptonim fare se çfarë faji kishim bërë.

Personeli dhe drejtoresha, si dhe tri gjyqtarët po na bënin gjyqin larg Gjykatës së Sarandës në fshehtësi.
Të dy qeshnim si fëmijë, sepse ne ishin mësuar me ligësinë e tyre. Por, pas gjyqit ne e pamë veten të paketuar. Gjykata na kishte dënuar me burg dhe vendi i dënimit ishte Zejmeni i Lezhës. Kemi udhëtuar dy ditë nga Saranda drejt veriut të shoqëruar me dy policë.

Rrugëtimi ishte copë-copë. Njëherë me autobus, pastaj me tren, pastaj me xhip dhe në fund në Zejmen.
Këtë histori e kam mbajtur të fshehtë, sepse më lëndon shumë, shkurt më shkatërruan fëmijërinë time.
Ata që më bënë keq mua dhe mikut tim, menduan se kjo ishte mënyra e tyre për të na mposhtur, por i kishin bërë keq llogaritë.

Miku im sot jeton në Greqi, unë në Norvegji.
Historia vazhdon…


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *