Vendosni fjalën kyçe....

Hajdari përplaset me Spiropalin: T’ju vijë turp që ofendoni artistët, kërkoni falje


Në seancën e sotme parlamentare, Rudina Hajdari ka patur një përplasje me Elisa Spiropalin lidhur me çështjen e Teatrit dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor.

E para ishte Spiropali ajo e cila bëri disa krahasime mes opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare, duke iu drejtuar me emër Hajdarit. Sipas saj, të dyja përdorin të njëjtën mënyrë, njëra për pazarin e radhës dhe tjetra për të mbijetuar. Këtu ajo akuzoi edhe artistët që prej më shumë se 2 vite protestojnë për të ruajtur Teatrin Kombëtar, duke i quajtur jo korifej por politikanë teatralë.

“Ju keni shumëçka ndryshe nga opozita që është në rrugë, por keni dy gjëra të përbashkëta të cilat për fat të keq janë fatale. Ju të dy doni ta ktheni orën e historisë pas dhe të dyja mendoni se pakica mund të marrë peng shumicën, ose mund t’i imponohet asaj jo me argument, por me patos. Të dyja këto janë fatale sepse të dyja rezultojnë në hiç.

Opozita jashtëparlamentare pretendon se e kundërshton Reformën Zgjedhore për dy arsye, por po bën pazarin e radhës.

E kundërshton reformën zgjedhore sepse do që gjyqtarët që janë përjashtuar nga Vettingu të futen në kolegj zgjedhor. Vjen era myk kërkesa e opozitës. Do të mbajë në këmbë sistemin e vjetër të shëndetësisë. Dua të kujtoj se ai sistem që kishim më parë na prodhoi ata deputetë që kishim në parlament. Sistemi i demokracisë varet nga aplikimi i mirë i sistemit dhe nga vullneti pozitiv. Duhet që njerëzit që administrojnë votat të jenë të padepolizuar, të trajnuar. Jeni ju për këtë?

Në anën tjetër, përsa i përket çështjes së Teatrit. Zonja Hajdari, ja ku bashkoheni sërish me ata. Ata nuk janë as politikanë as korifej të teatrit, janë disa politikanë teatralë, që gjithë jetën janë tallur jo vetëm me teatrin por edhe me veten. Të jeni të sigurt se teatri i ri do ngrihet aty ku është ky sot, më i ri më i bukur si nuk e kemi patur moj zonjë. 98 përqind e aktorëve që i kanë dhënë shpirt kësaj skene, do vazhdojnë të jetojnë aty në një skenë dinjitoze. Ata po duan të bëjnë Pazar për veten e tyre, ju po doni të mbijetoni në politikë, po në të njëjtën mënyrë.”- tha Spiropali.

Pas këtyre fjalëve, Rudina Hajdari reagoi ashpër duke i kërkuar Spiropalit t’i kërkojë falje artistëve.

“Duhet t’ju vijë turp që ofendoni artistët e Shqipërisë, më vjen keq sepse nuk e dija që je arkitekte të na tregosh si ndërtohet Teatri më i mirë apo më i keq. Teatri ka një shpirt që duhet të ruhet. Pra, ju lutem mos ofendoni artistë shqiptarët. Në fakt, të isha në vendin tuaj do të tërhiqja atë fjalë dhe do kërkoja falje publikisht. Sa i përket sistemit, a e kuptoni që këtu ju keni sjellë kriminelë? A e kuptoni zonja Spiropali që në këtë PArlament ju nuk e ngreni dot dorën pa ju thënë kryeministri” A e kuptoni që Parlamenti është kthyer në kulisë për biznesmenë e oligarkë me të cilët rrini ju? A e kuptoni që ky Parlament është kthyer në lavatriçe për pastrimin e parave? Prandaj ndryshimi i sistemit duhet të jetë i atillë që qytetari shqiptar të jetë i përfaqësuar këtu dhe jo vetëm vullneti i kryetarit tënd. Kjo pra është.”– tha Hajdari.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *