Vendosni fjalën kyçe....

Policia e Durrësit gjobit Bashën për shkeljen e masave ndaj COVID-19


Kreu i PD-së, Lulzim Basha në takimin me sipërmarrësit në Durrës

Policia e Durrësit ka ndëshkuar me masë administrative kreun e opozitës së bashkuar, Lulzim Basha pas takimit që pati me disa biznesmenë në qytetin bregdetar.

Kryedemokrati, takoi ditën e sotme në një ambient të mbyllur disa biznesmenë në kuadër të turit që po kryen Basha me sipërmarrësit që janë prekur nga epidemia e shkaktuar nga koronavirusi.

Policia ka gjobitur me 1 milionë lekë pronarin e lokalit ndërsa janë gjobitur edhe pjesëmarrësit e tjerë në takim.

“Policia e Durrësit ka konstatuar me shqetësim një aktivitet partiak të zhvilluar në mjedisin e mbylluar të një lokali, në kundërshtim me Aktin Normativ, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″. Ky aktivitet, që është publikuar gjerësisht sot edhe në media, ka imponuar procedimin administrativ, bazuar mbi Aktin Normativ”.

Bazuar mbi Aktin Normativ, është marrë masë administrative 1 milionë lekë për pronarin e lokalit, shtetasin A.H.

Njëkohësisht janë ndëshkuar me masë administrative gjobë dhe me tërheqje të lejes së drejtimit shtetasit pjesëmarrës në këtë aktivitet, L.B, F. Xh., A. M., R. G., A. B., V. N., E. H., A.B., D. B., J.M. dhe A.H.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët, sidomos ata në zonat e kuqe që të respektojnë me rigorozitet oraret e lëvizjes dhe të distancimit social dhe në këtë kuadër kërkon mirëkuptimin dhe ndihmën e qytetarëve në të gjithë vendin, që të kontribuojnë secili në mbrojtjen e shëndetit nga kërcënimi i virusit vdekjeprurës COVID-19.

Policia e Shtetit do të vijojë me angazhim të plotë e vullnet të palëkundur veprimtarinë e vet ligjzbatuese, në mbrojtje të jetës dhe rendit publik në kushtet e jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore”-thuhet në njoftimin e policisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *