Vendosni fjalën kyçe....

Protestuesit në Malin e Zi përplasen me policinë, çfarë ndodhi mbrëmë vonë


Dhjetëra qytetarë nga Andrijevica në Malin e Zi kanë bllokuar qytetin e Slatinës mbrëmjen e kaluar në shenjë proteste ndaj arrestimit të peshkopit të Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije, që drejton dioqezën e Budimlje-Nikshiqit. 

Siç shkruan Radio Europa e Lirë, policia malazeze hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet e protestuesve.

Policia e Malit të Zi tha në një postim në twitter se të paktën 4 pjesëtarë të saj pësuan plagë gjatë përleshjeve të së mërkurës mbrëma.

Sipas policisë qytetarët që u mblodhën në dy qytetet malazeze “hodhën gurë, shishe dhe mjete piroteknike mbi forcat e policisë.”

Incidentet erdhën një ditë pasi mijëra njerëz morën pjesë në një procesion në Nikshiq pa veshur maska ​​për fytyrën dhe nuk zbatuan distancën nga njëri-tjetri. Peshkopi Joanikije dhe shtatë priftërinj u ndaluan të martën pas litergjisë që mbajtën përkundër masave për koronavirusin.


Prokurorët thanë tetë priftërinjtë rrezikojnë dënimin me 12 vjet burg nën akuzën e shkeljes së kufizimeve të virusit.

Beogradi kritikoi ashpër arrestimin e tetë priftërinjve të Kishës Ortodokse Serbe, përfshirë Peshkopin Ioaniki, i cili hapi tensione të reja fetare dhe politike midis dy fqinjëve. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç nxiti një zgjidhje paqësore të krizës dhe një lirim të shpejtë të priftërinjve.

Këto zhvillime vijnë pas një periudhe tensionesh mes Kishës Ortodokse Serbe dhe qeverisë së Malit të Zi, për shkak të ligjit për liritë fetare që u miratua më 27 dhjetor të vitit të kaluar.

Ligji u kërkon bashkësive fetare që të ofrojnë dëshmi të qarta mbi pronësinë, dhe kjo kërkesë sipas Kishës Ortodokse serbe, është hartuar për t’i marrë pronat e saj.

Udhëheqësit e kësaj kishe thonë se ligji i ri i mundëson Malit të Zi të konfiskojë pronat e saj, duke përfshirë manastiret, kishat dhe pasuri të tjera.

Këto pretendime janë mohuar vazhdimisht nga qeveria malazeze. Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka akuzuar Kishën Ortodokse Serbe se po nxit politikat pro-serbe brenda vendit dhe po përpiqet të dëmtojë shtetësinë e tij.

Nacionalistët serbë në të dy vendet kurrë nuk e kanë njohur plotësisht ndarjen e Serbisë nga Mali i Zi në vitin 2006, për të cilin ata pretendojnë se është një territor historik serb.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *