Pas shtimit të numrit të rasteve ditore me koronavirus, ka reaguar ish-deputeti demokrat Bardh Spahia.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se kjo ka ardhur si pasojë e moszbatimit të distancës sociale nga ana e qytetarëve dhe punonjësve e bizneseve të fasonerive, pas lehtësimit të masave. Por Spahia e konsideron atë të pacipë, duke thënë se për rritjen e numrit të rasteve fajin e ka vetëm qeveria dhe kryeministri Edi Rama që nuk kanë mbyllur fasoneritë. Kujtojmë se 7 rastet e reja të regjistruara sot në Durrës vinin pikërisht nga një fasoneri.
“Sa e pacipë hedhja e fajit tek qytetarët nga Ogerta Manastirliu për numrin e rritur për të dytën ditë rradhazi të të infektuarve me COVID. E pra sipas vetë të dhënave zyrtare janë punonjës e kontakte të fasonerive. Dhe është krejt e qartë se ka vetëm një përgjegjës për infektimin dhe përhapjen nga fasoneritë! Ai është Edi Rama e jo qytetarët! Për shkak të natyrës së punës në fasoneri, është e pamundur shmangia e kontaktit me të tjerët! Edi Rama nuk i mbylli fasoneritë, që të mos u paguante pagesën minimale punonjësve të tyre. Në vend që t’ua jepte 70 mijë punonjësve kryesisht vajza e gra, i coi paratë për koncesione e për një grusht oligarkësh pranë tij.
Rritja e rasteve të të infektuarve nuk ka të bëjë me hapjen e ekonomisë, por me dështimin spektakolar të qeverisë për të testuar qytetarët e ekspozuar ndaj rrezikut.”- shkruan Spahia.