Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijon takimet e tij me qytetarët. Ai sot u rikthye në Sukthin e dëmtuar nga tërmeti ku sipas tij 4 muaj nga vizita e mëparshme, gjendja e banorëve ishte përkeqësuar.
Sipas demokratëve, banorët jo vetëm nuk kanë marrë akoma përgjigje, nëse pallati është apo jo i banueshëm, por janë braktisur plotësisht nga qeveria edhe gjatë kohës së izolimit nga pandemia.
“Ka rënë populli në zero. Nuk kemi me çfarë të marrim bukën, nuk kemi me çfarë te marrim një kilogramë domate, një kilogramë speca.”– i tha një banore kreut të opozitës.
BISEDA e Bashës me qytetarët
Basha: Ju vazhdoni me të njëjtat kushte siç ju pashë herën e fundit?
Banor: Ashtu jemi. Më keq. Edhe më keq.
Basha: Keni marrë ndonjë mbështetje financiare?
Banore: Nuk kam marrë as një shishe ujë. Pension jo, rrogë jo, për të ngrënë jo, ku do të shkojmë, ku do të jetojmë ne o nenë?
Banor: Nuk kanë pyetur a jemi gjallë. Po nuk dua asgjë vetëm të na thonë çfarë do të bëhet për pallatin. Erdhën prapë dje dhe nuk na thanë asgjë, asnjë dokument, asgjë.
Basha: Zonjë po ndihma ushqimore të kanë ardhur ty?
Banore: Asnjë gjë, për kokë të atij djali që kam rrugëve andej. Asnjë kokërr kripe të ma sjellin në derë nuk më kanë sjellë. Asnjë gjë, as pension, as ndihmë ekonomike, asnjë gjë.
Basha shprehet i shqetësuar se qeveria ka prioritet pasurimin në kurriz të shqiptarëve, duke vjedhur me një grusht oligarkësh dhe duke lënë pa ndihma qytetarët.