Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, thotë se nuk e njeh gjendjen e Jashtëzakonshme.
“Le të më gjobisin, le të më arrestojnë, të bëjnë çfarë të duan. Unë kam thënë që çdo vendim të atij parlamenti të paligjshëm nuk e njoh. Pra çfarë do të thotë? Do të thosë se nuk njoh gjendjen e jashtëzakonshme, nuk njoh VKM-të e Edi Ramës, sepse edhe kjo që ka nxjerrë ky që ka mashtruar, sipas saj i bie që ne ta zbatojmë se qenka Toni Goga. A e dini ju kush ishte drejtori juridik në Bankën e Shqipërisë për të cilën u arrestuan gjithë ata veta. Toni Gogu ishte drejtori juridik i bankës së Shqipërisë, i cili mbante përgjegjësinë kryesore në aferën në bankës për të cilën u akuzuan shumë njerëz dhe pastaj fituan pafajësinë. Prandaj nuk më çudit firma e Toni Gogut, nuk më çudit as sjellja e Ramë dhe as VKM-të e Edi Ramës”, tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së i konsideron të paligjshme fashat orare të vendosura nga qeveria.
“Të gjitha fashat e orareve janë të paligjshme. Sepse të gjitha fashat shpallen në bazë të një raporti mjekësor dhe studimi të institucioneve shëndetësore në Shqipëri. Institucionet nuk ekzistojnë, nuk ka më mjek në Shqipëri.”- thotë Kryemadhi.
Ditën e djeshme kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës Toni Gogu, firmosi dokumentin që urdhëron shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar pa u mbledhur këshilli i bashkisë. Aktivistët dhe artistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit u ngujuan dje për ta mbrojtur atë edhe fizikisht nga shembja pas këtij vendimi, ndërsa sot depozituan edhe një padi në Prokurori. Një ndër aktivistët, pedagogu i njohur i Departamentit të Gazetarisë në Universitertin e Tiranës, Ervin Goci, u bëri sot thirrje subjekteve politike që të mos e njohin gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore, me argumentin se qeveria është e para që e ka thyer atë.