Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e rapsodit dhe mikut të tij në Lezhë, arrestohet një tjetër i dyshuar


Policia ka arrestuar një tjetër të dyshuar lidhur me vrasjen e dyfishtë që ndodhi muajin e kaluar në fshatin Lalm të vjetër të Lezhës.

I arrestuari është Agron Lushi, 35 vjeçar, banues në Lalm Lukaj, Lezhë. Ai rezulton me precedent kriminal, pasi ka qenë i dënuar më parë për plagosje me armë.

Ai akuzohet se ka ndihmuar të dyshuarin si autor i ngjarjes Aleksandër Përdoda, 40 vjeç, banues në Lalm, Lezhë. Ky i fundit është arrestuar pak pas krimit të rëndë, ku u ekzekutuan me armë zjarri rapsodi i njohur Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni.

Paraprakisht policia dyshon se vrasja ka ndodhur për arsye pronësie, pasi Perdoda pretendon se pjesa ku ka ndodhur krimi, është pronë e tij. Për këtë çështje, ai ka pa pasur konflikte të vjetra me Preng Simonin dhe Kol Murranin dhe mendohet se ky i fundit ishte objektivi i vrasjes së dyfishtë.

DETAJET E POLICISË

Vijon intensivisht puna hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur në Lalm Lukaj, Lezhë.

Kapet dhe ndalohet bashkëpunëtori i autorit të dyshuar të vrasjes me armë zjarri të shtetasve K. M. dhe P. S.

Vihet në pranga 35-vjeçari, i dënuar më parë për plagosje me armë.

Në lidhje me zbardhjen e ngjarjes së datës 27 prill, grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistë të Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe të DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, në vijim të veprimeve, në bashkëpunim edhe me Institutin e Policisë Shkencore, ka bërë të mundur sigurimin e provave shkencore për bashkëpunëtorin e autorit të dyshuar të ngjarjes.

Bazuar në këto prova shkencore është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. L., 35 vjeç, banues në Lalm Lukaj, Lezhë, me precedent kriminal, i dënuar më parë për plagosje me armë.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, në ngarkim të shtetasit A. L., për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *