Vendosni fjalën kyçe....

Basha zbret në Divjakë, takohet me fermerët: Produktet e tyre cilësore po groposen


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vijon takimet me qytetarët pavarësisht rrezikut të procedimit penal lidhur me shkeljen e rregullave të vëna nga qeveria për shkak të pandemisë.

Basha ka shkuar këtë të shtunë në Divjakë dhe Karbunarë, ku ka zhvilluar takime me banorët dhe fermerët.

“Me banorët dhe fermerët e Divjakës dhe Karbunarës ndamë shqetësimin për situatën e rënduar në sektorin e bujqësisë.

RAMAVIRUSI ka prekur rëndë çdo qelizë të ekonomisë, përfshirë dhe bujqësinë dhe agrobiznesin.

Asnjë ndihmë konkrete nuk është dhënë deri më sot për këtë sektor që si e gjithë ekonomia po vuan pasojat e pandemisë ekonomike të qeverisë Rama.

Fermerët janë të shqetësuar për koston e shtuar të prodhimit dhe konkurencën e pandershme nga produktet e importit të cilat vijnë të subvencionuara nga vendet e origjinës. Produktet e tyre edhe pse shumë cilësore kalben ose groposen bashkë me investimin dhe djersën e tyre.

Ekonomia shqiptare është në krizë të thellë, papunësia po rritet çdo ditë, konsumi është në kolaps dhe njerëzit kanë çdo ditë e më pak mundësi për të blerë.”- thotë Basha ndërsa publikon fotot e këtij takimi.

Kryedemokrati thotë se fermerët shqiptarë janë drejt falimentimit, ndërsa akuzon kryeministrin Edi Rama se i ka lënë pa mbështetje.

“Bujqësia shqiptare dhe fermerët përballen me falimentim ekonomik, sepse edhe para pandemisë nuk kishin asnjë mbështetje. Sot ata kanë nevojë për përkrahje financiare dhe masa konkrete e jo fjalë boshe në facebook.

Pandemia ekonomike e shkaktuar nga RAMAVIRUSI po godet dhe rrënon fermerët e lënë krejtësisht pa mbështetje.”- shkruan Basha.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *