Presidenti Meta ka dënuar dhunën e policisë ndaj të miturit në Tiranë.
Ai shkruan se reagimi i punonjësve të policisë ishte joprofesionale, shproporcionale dhe e dhunshme. Meta thekson më tej se ky akt i rëndë cënon seriozisht imazhin e policisë së shtetit.
“Dënoj me forcë sjelljen joprofesionale, shproporcionale dhe të dhunshme të disa punonjësve të Policisë së Shtetit ndaj një të mituri, i cili sipas raportimeve paraprake po lëvizte jashtë orarit të lejuar për shkak të masave kufizuese të marra në kuadër të gjendjes së pandemisë.
Ky akt tepër i rëndë dhe i dënueshëm dëmton seriozisht imazhin e Policisë së Shtetit duke na kthyer pas në kohët e arbitraritetit.
Veçanërisht sjellja e çdo institucioni shtetëror përkundrejt të miturve në këto kohë të vështira duhet të garantojë ndërgjegjësimin e tyre për rëndësinë dhe respektimin e masave kufizuese, dhe jo ushtrimin e forcës policore.” – shkruan Meta.
Më tej kreu i shtetit bën thirrje për zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes së rëndë dhe nxjerrjen e përgjegjësive ligjore.
Në fund Meta thekson se policia duhet të bëjë kujdes në zbatimin e ligjit si dhe të ketë parasysh se të drejtat dhe liritë e njeriut garantohen nga Kushtetuta.
“Në respekt të sensibilitetit të madh shoqëror që ka shkaktuar me të drejtë kjo ngjarje, apeloj zbardhjen e menjëhershme dhe me transparencë të saj dhe nxjerrjen pa zvarritje të mëtejshme të përgjegjësive ligjore. I bëj thirrje Policisë së Shtetit që gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore të bëjë kujdes maksimal në zbatimin me përpikmëri të ligjit dhe misionit të saj, si dhe të ketë parasysh se liritë dhe të drejtat themelore të njeriut garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në çdo kohë dhe duhen respektuar nga çdo autoritet.” – mbyll reagimin Meta.