Avokati i Popullit ka nisur shqyrtimin e rastit të dhunës së policisë ndaj të miturit në Tiranë.
Në deklaratën për shtyp thuhet se dhuna është një rast i paprecent ndërsa veprimet e policisë janë të patolerueshme.
Në deklaratën e Avokatit të Popullit thuhet gjithashtu se autoritetet duhet të marrin masa të menjëhershme për zbardhjen e ngjarjes.
Në reagim theksohet më tej se policia duhet të bëjë kujdes në ushtrimin e detyrës lidhur me masat e marra ng qeveria kundër Covid-19.
“Në mediat sociale është publikur një video, ku dallohen punonjësit e policisë së shtetit duke ushtruar dhunë kundrejt një të mituri në afërsi të liqenit artificial të Tiranës.
Në mbështetje të nenit 13, të ligjit nr.8454, datë 4.2.1999 “Për Avokati e Popullit, të ndryshuar, Avokati i Popullit filloi procedurën e shqyrtimit të çështjes për rastin e paprecendent të dhunës së ushtruar nga forcat e rendit publik kundrejt një minoreni.
Institucioni i Avokatit të Popullit u ka dërguar kërkesa për informacion institucioneve përgjegjëse dhe gjithashtu ka vendosur kontakt me prindërit e të miturit të dhunuar.
Veprimet e dhunshme të kryera nga punonjësit e rendit publik janë të patolerueshme dhe AP kërkon nga organet kompetente të ndërmarrin veprimet urgjente karshi këtyre punonjësve, në përputhje me legjislacionin në fuqi
Lufta kundër ushtrimit të dhunës është përgjegjësi e shtetit. Ndërsa, qeveria ka ndërmarrë një sërë masash, për të garantuar shëndetin e qytetarëve nga COVID-19, autoritetet shtetërore duhet të vlerësojnë dhe të kujdesen, që këto masa mos të cedojnë e çojnë në shkeljen e të drejtave të njeriut në përgjithësi, si dhe të fëmijëve në veçanti, për të bërë të mundur mbrojtjen e qytetarëve dhe fëmijëve nga të gjitha format e dhunës, e sidomos, kur ato përdoren si mjet ndëshkimi nga punonjësit e Policisë së Shtetit.
Askush nuk duhet të detyrohet të zgjedhë papajtueshmërinë me ligjin. Autoritetet duhet të garantojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve të tyre, sidomos të fëmijëve, qoftë nga rreziku i infektimit prej virusit, ose nga dhuna, e cila gjen strehë në këtë periudhë të kufizimit drastik të lëvizjeve.
Në vijim, Avokatit i Popullit në funksion të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, për garantimin me efektivitet të ushtrimit, respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijës, në përfundim të hetimit administrativ për rastin në fjalë do të përgatisë raportin përmbledhës me rekomandimet përkatëse.”