Vendosni fjalën kyçe....

Teatri i vjetër i Partneritetit Publik-Privat


Nga Erlind Sulko

Prej një periudhe të gjatë tashmë pushteti në Shqipëri po mundohet ta shkatërrojë Teatrin Kombëtar, pavarësisht qëndresës së vazhdueshme.

Në këtë çështje kemi qenësisht të bëjmë me një luftë vullnetesh: vullnetin për të shkatërruar dhe vullnetin për të mbrojtur.

Dhe fati i kësaj ndërtese historike do varet jo nga teorira të ndërlikuara për teatrin, por nga fuqia e vendimmarrjes dhe kundërpërgjigja e qëndresës.

Secilit prej nesh, si njerëzve që e dashurojnë teatrin ashtu edhe atyre që nuk kanë vënë asnjëherë këmbë aty, na kërkohet një vendim: a do të mbrojmë të përbashkëtën apo do e lemë të na rrëmbehet?

Plogështia, heshtja, moskokëçarja për atë që ndodh përtej gardhit tënd, mbyllja brenda vetes, mosbërja e asgjëje edhe ky është një vendim: një vendim më i frikshëm se sa dëshira për ta shkatërruar Teatrin Kombëtar.

Nesër , kur t’ju pyesin fëmijët se ku është Teatri Kombëtar, çfarë do u thoni? E shkatërruan ata? Apo e mbrojtëm ne? Ky është vendimi që historia kërkon nga të gjithë ne sot.

Ndodhitë historike kanë kuptimin e tyre të fjalëpërfjalshëm dhe kuptimin e tyre të përtejmë. Kuptimi i fjalëpërfjalshëm i ndodhive është kuptimi i asaj që po ndodh në kontekstin e kohës kur ajo ndodh.

Ndërsa kuptimi i përtejmë i një ndodhie historike është kuptimi i një ndodhie brenda një konteksti edhe më të gjerë: brenda udhëtimit të gjerë shpirtëror të njeriut. Kuptimi i fjalëpërfjalshëm i Revolucionit Francez është kryengritja e francezëve të shekullit 18-të kundër mbretit Louis XVI-të.

Kuptimi i përtejmë i Revolucionit Francez është lufta e njeriut per liri, barazi dhe vëllazëri: një ndodhi që kaloj kufirin vetjak dhe u kthye në një udhëheqëse shpirtërore në luftën kundër monarkisë dhe vendosjen e demokracisë.

Në të njëjtën mënyrë mund të themi edhe për shumë ngjarje në vendin tonë: protestat e studentëve gjatë viteve 1990 nuk shprehnin vetëm pakënaqësitë e disa studentëve por frymën e vetë popullit për ndryshim thelbësor, protestat e studentëve gjatë vitit 2019 nuk shpallën vetëm dëshirën e disa studentëve për një arsim publik më të mirë, por edhe luftën kundër shkatërrimit të vazhdueshëm të arsimit në përgjithësi dhe përgjegjësinë tonë për të mbrojtur të përbashkëtën.

Pyetja që dua të shtroj atëherë është kjo: çfarë është kuptimi i njëmendtë dhe i përtejmë i shkatërrimit të Teatrit Kombëtar dhe dëshira për të ndërtuar një teatër të ri?

Kuptimi i fjalëpërfjalshëm është i rëndomtë, jo sepse nuk është i vërtetë, por sepse është përsëritje e kotë dhe e cekët e asaj që të gjithë e dimë: qeveria ngulmon në shkatërrimin e Teatrit Kombëtar. Disa të tjerë janë kundër kësaj gjëje.

Gazetat janë të stërmbushura me lajme të tilla sipërfaqësore. Kjo vendosmëri e tepërt e pushtetit për të shkatërruar Teatrin Kombëtar dhe për të ngritur një të ri mbi të na zbulon diçka përtej vetes së vet. Kjo ndodhi e veçantë na rrëfen diçka thelbësore për vetë Frymën e përgjithshme ku jetojmë.

Teatri Kombëtar është një përfaqësi e kulturës, dhe kultura nuk është asgjë më shumë se sa trashëgimia që i përket në të njëjtën kohë të tërëve dhe askujt në veçanti. Kjo trashëgimi e përbashkët ruhet brez pas brezi: gjë që dëshmon kalimin e një gjëje nga bota fizike në botën e vlerave.

Koha dhe përmbajtja fizike nuk e shkatërrojnë dot vlerën: pasi ajo ka aftësinë ta ringjallë botën fizike përjetësisht. Kishat e vjetra kushtojnë më shumë për t’u mirëmbajtur se sa për të ndërtuar një të re.

Por, ajo që e ringjall atë ndërtesë vazhdimisht, si nga prishja e njeriut ashtu edhe nga prishja e natyrës, është besimi. Prandaj, vlerat janë përherë kundër shkatërrimit të vazhdueshëm të kohës.

Dëshira për të prishur Teatrin Kombëtar shfaq vullnetin për të shkatërruar vlerën, për të copëzuar të përbashkëtën, për të ndaluar të përjetshmen.

Kjo është një nga pasojat më të tmerrshme të kapitalizmit bashkëkohor qe e shohim gjithkund: asgjësimi i kulturës në emër të arsyes dhe fitimit. Shtëpitë botuese janë në zgrip të falimentimit. Shkrimtarët e kanë të pamundur të mbijetojnë.

Librat me poezi nuk botohen, pasi nuk ka mjaftueshëm blerje. Botohen vetëm njerëzit që kanë lidhjen me pushtetin politik ose mediatik. Piktorët braktisin ëndrrën. Muzikantët bëjnë muzikë dasmash.

Gjithë kjo bjerrje e kulturës nuk është një rastësi, nuk është një gabim i kryeministrit të sotëm që do mund të ndalohej nëse do kishim një kryeministër tjetër pak më zemërbutë e të ndjeshëm. Jo, ky shkatërrim i kulturës është pjesë e pandashme e logjikës së tregut dhe sistemit ekonomik ku jetojmë: prishja e Teatrit Kombëtar është vetëm ngjarja e radhës, plotësisht e arsyeshme dhe në përputhshmëri me logjikën e sistemit.

Përse të zaptohen kështjellat nga lokalet private dhe të mbyllet biblioteka kombëtare dhe mos të shkatërrohet Teatri Kombëtar? Kjo gjë është tërësisht e pajtueshme me frymën e përgjithshme të pushtetit ekonomiko-politik që na zotëron.

Kemi kohë që ndeshim pemë në ecejaket tona dhe tani ka ardhur koha të dalim në përfundimin se po ecim në një pyll: në kapitalizëm nuk është më kultura që drejton tregun, por tregu që drejton kulturën. Dhe rregullat e tregut nuk vendosen nga unë dhe ti, por nga një i tretë përtej nesh dhe mbi ligjin: kapitali i lidhur me pushtetin.

Kapitali dhe Pushteti kërkojnë me ngulm ndërtimin e një Teatri Kombëtar të ri. Por ky nuk do të jetë më një Teatër Kombëtar dhe as i ri, por vetëm një teatër i vjetër. Edhe më i vjetër se Teatri Kombëtar. Teatri që po kërkohet të ndërtohet është Teatri i Partneritetit Publik-Privat.

Po kërkohet prej nesh adhurimi i rrënimit i të së përbashkëtës në emër të disa pasanikëve privatë. Kjo nuk është asgjë e re. Nuk është rastësi se sa shumë rëndësi i është vënë mënyrës së shkëlqyer se si do të ndërtohet ky Teatër: nëpërmjet lidhjes së pushtetit me pasanikët e mëdhenj të vendit.

Por në këtë rast mjeti nuk e përligj qëllimin, pasi mjeti është kthyer në qëllim: ajo që po ndërtohet është vetëm diktatura e Partneritetit Publik-Privat.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Peizazhe.com


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *