AMA deklaroi mbrëmë se nuk ekziston një urdhër për mbylljen e televizionit Ora News, por mesa duket ky urdhër ekziston, siç e konfirmon edhe dokumenti i mëposhtëm.
E nisim nga fillimi. Ditën e djeshme gazetarja Sonila Meçoi zbuloi se programi i saj “Tempora” në televizionin Ora News ishte gjobitur me 10 milionë lekë të vjetra, për shkak se kishte patur më shumë se një të ftuar. Lajm që shkaktoi shumë polemika, për shkak se kolegë të saj në televizionet rivale më parë kishin marrë vetëm një paralajmërim, duke i shpëtuar gjobitjes.
Më pas, sikur të mos mjaftonte kjo doli lajmi se ishte urdhëruar mbyllja e televizionit. Drejtori i Informacionit të RTV Ora, Brahim Shima, tha se Inspektorati Shtetëror Shëndetësor kërkon mbylljen e sinjalit të transmetimit të RTV Ora.
“Vijnë dy gjoba ISHSH nga 20 milion dhe një kërkesë për mbyllje aktiviteti. Nuk e di se me çfarë vullneti një kryeministër merr vendimin për mbylljen e një televizioni. Kjo është demokracia që duam të bëjmë ne? Në shumë vend evropiane janë bërë emisione me më shumë se 3 veta. Kur në një kohë që të ftuarit në studio kanë qenë në mbi 2 metra larg.”– thoshte Shima.
Pas kësaj, Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA) reagoi përmes një njoftimi për mediat duke thënë se për rastin specifik ka pasur një paralajmërim nga AMA për televizionin, pasi janë shkelur rregullat që dalin nga Akti Normativ mbi parandalimin e përhapjes së epidemisë së shkaktuar nga koronavirusi. Dhe se më pas, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, ka evidentuar shkelje të përsëritur nga ky subjekt audioviziv, për prezencë në studio të më shumë se dy personave, duke akorduar gjoba. Por nuk ka kërkuar mbylljen e televizionit.
E megjithatë dokumenti më poshtë paraqet pikërisht një vendim të ISHSH-së që kërkon mbyllje të aktivitetit të televizionit “Ora News”./Hashtag.al
DOKUMENTI I PLOTË