Nga Dajana Dobrozi
U zgjova sot në orën 8 dhe instikti më çoi të hapja telefonin. Kur ç’të shoh…
Duke qenë se isha pushim e kisha planifikuar tërë paraditen gjumë në fakt (çmund të presësh më shumë nga të rinj parazitarë), por a më zinte gjumi më pasi pashë gërmadhat e Teatrit Kombëtar, pasi pashë profesorë të mi, kolegë e qytetarë të Tiranës të tërhiqeshin zvarrë nga policia?! Mezi i mbajta lotët…
Po ju rrëfej diçka që në fakt më vjen turp të pranoj… se kurrë s’e kam ndjekur një shfaqje në atë Teatër. Si pjesa më e madhe e moshatarëve të mi jam treguar indiferente ndaj aktiviteteve kulturore, jo se nuk isha kurioze të shkoja… por sepse askush nga rrethi im nuk preferonte të shkonte, nuk kishin kuriozitet, përtonin… e kështu përtoja dhe unë.
E kam ndjekur çështjen e Teatrit që në fillim, kam shkruar për të dhe e kam besuar kauzën por kurrë nuk u bëra pjesë e qëndresës…
Së pari mendoja që meqë s’kam shkelur një herë në atë Teatër, do duket sikur pale çfarë interesi kam.
Së dyti s’doja të rrëfeja që jam 24 vjeç sot e s’kam parë kurrë një shfaqje teatrale (Turp).
Mendoja se do ishte hipokrizi nga ana ime… që deri dje s’më interesonte e papritmas dal se mbështetkam kauzën e artistëve. Por hipokrite u tregova, hipokrite sepse nuk mbështeta njerëz që vërtetë e donin atë Teatër, që i kanë kushtuar jetën atij dhe sot qajnë si fëmijë për atë çfarë humbën. Po unë jam hipokrite! Dhe ti që më lexon je hipokrit që s’mbështete kurrë një bashkëqytetar tëndin në nevojë… nuk mbështete banorët e Astirit, Bregut të Lumit, nuk mbështete studentët… Kur të kesh ti nevojë, mos kërko mbështetje atëherë! Solidarizimi nuk ekziston mes nesh.
Sot nuk është problemi vetëm se u shemb Teatri me natë, absolutisht kundra ligjit, e pa kurrfarë emergjence në këtë kohë pandemie. Por absolutisht u shkel çdo e drejtë e jona si qytetarë të këtij vendi, të drejta të garantuara me Kushtetutë… artistëve iu mohua një proces i drejtë për të vendosur të ardhmen e Teatrit dhe Edi Rama e Erion Veliaj vetëm sa dëshmuan se vërtet është instaluar një diktaturë në këtë vend dhe kanë pushtet të pa kufizuar. S’e ka fajin vetëm Rama, por edhe ne që nuk ngritëm njëherë zë. Ç’faj ka ai që ne i dhamë pushtetet si në një pjatë të argjendtë! Një herë ekzekutivin, pastaj Parlamentin, pastaj gjykatat… Mund të përmendej një emër tjetër, por fati e deshi të ishte ai sot.
Kështu që po, unë, ti, ne… jemi hipokritë që i lejuam ata të vinin në këtë pikë duke parë secili rehatinë e vet dhe duke vazhduar me “po s’më preku mua s’më intereson” dhe më e keqja… nuk jemi hipokritë por jemi dele. Tani po e besoj… popull dele. Pyetja është: A do vazhdojmë të jemi dele?
Më ndjeni, po bëj unë moral që jam askushi për ta bërë këtë. Unë jam një nga delet…