Kreu i Partisë Demokratike, Basha, ka dhënë një deklaratë për mediat pas takimit me aleatët në selinë blu.
Në fjalën e tij kryedemokrati theksoi se vendi drejtohet nga një kriminel që ka marrë peng vendin.
Ai kërkoi ndjesë për takimin e tij me kryeministrin Rama para 3 vjetësh para zgjedhjeve të vitit 2017 duke deklaruar se ai gabim nuk do përsëritej më.
Basha theksoi gjithashtu se opozita në bashkëpunim me qytetarët nuk do ndalet deri në largimin e bandës që qeveris vendin.
“Dita e sotme është një tjetër dëshmi se vendi drejtohet nga një kriminel që ka marrë peng vendin.
Me ndihmën e qytetarve dhe mediave kemi ekspozuar të gjitha aferat e kësaj qeverie dhe ky është guri i radhës në shpirtin e çdo shqiptari që vuan sot pamundësitë ekonomike të hajdutësirë së Edi Ramës që për xhepat e tij ka sakrifikuar xhepat e çdo shqiptari që është në mjerim.
Para tre vjetësh unë u ula me këtë njeri me besimin se mund të arrinim që në të mirë të shqiptarëve një marrëveshje politike.
Koha tregoi se unë u gabova. Ky gabim nuk do përsëritet më kurrë dhe siguroj që opozita në bashkëpunim me qytetarët do bëjë çmos që të largojë pushtetin e korruptuar të Edi Ramës.
Opozita mbështet Aleancën për Teatrin, shoqërinë civile dhe çdo shqiptar që do protestojë kundër kësaj qeverie.
Opozita angazhohet të restaurojë ndërtimin e teatrit siç ka qenë dhe ndëshkimin e çdo përgjegjësi duke nisur nga Edi Rama dhe deri tek i përdoruri i fundit. Rruga për ta shporrur këtë të keqe është e vetmja rrugë për vendin.
Protestat do zhvillohen duke respektuar kushtet higjienike, do u drejtohemi shqiptarëve për të shporrur këtë bandë.” – tha Basha.