Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e njohin shtetin e Edi Ramës.
Ajo ishte mes personave që u shoqëruan nga policia në orët e para të mëngjesit pas ndërhyrjes së fadromave për prishjen e Teatrit Kombëtar e atij Eksperimental.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të mos e njohin shtetin e Edi Ramës. Mos të njohin asnjë gjë, që është mbijetesë. Mos e përdorni fjalën revolucion se na shqetësohen ambasadat, iu duket fjalë e keqe por harrojnë që këlyshët e komunizmit i kanë aty dhe me ndihmën dhe pazaret e tyre.” – tha Kryemadhi.
Më tej ajo shtoi se reforma në drejtësi për të cilën janë shpenzuar më shumë se 100 milionë euro merret me procese banale të qindra qytetarëve ndërkohë që nuk ka bërë asnjë veprim lidhur me paligjshmërinë e veprimeve te Teatri Kombëtar.
Ajo teksoi se themelet e kullave që Rama mendon se do ngrihen aty do jenë varri dhe fundi i tij.
“Garancia është reforma në drejtësi që janë harxhuar mbi 100 milionë euro. Dhe sot ka me qindra shqiptarë janë dhe dergjen në procese penale, hetime për shkak të mospagesës së energjisë elektrike. Dhe sot e kësaj dite drejtësia shqiptare akoma nuk ka marrë asnjë informacion përsa i përket falsifikimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak që ka bërë kryetari i Këshillit Bashkiak. Akoma nuk ka thirrur dhe nuk ka verifikuar se kush kanë qenë ata që kanë bërë inspektimin e godinës. Prandaj dua të them që nuk më ngelet gjë tjetër vetëm të lutem për paqen e shpirtit të Edi Ramës se kam përshtypjen që ato themelet e kullave që mendon që do të ngrihen aty do të jenë varri i tij aty do të gjejë dhe fundin e tij. I bëj thirrje edhe drejtësisë që vazhdon dhe flen gjumë dhe që gënjen. Të fillojë të na hetojë ne, që kundërshtuam policinë, të fillojë të na arrestojë ne që mbrojtëm shqiptarinë sepse mesa duket drejtësia shqiptare vazhdon haj dhe pi në ditëlindjet e deputetëv të Partisë Socialiste.” – shtoi ajo.