Avokati i Popullit ka reaguar për protestën e zhvilluar kundër shembjes së Teatrit Kombëtar dhe ngjarjeve që u zhvilluan në të.
Institucioni bën me dije se gjatë inspektimit në terren u vunë re shënja dhune të ushtruara ndaj qytetarëve.
Avokati i popullit e konsideron të pa justifikuar shoqërimin e disa gazetarëve.
Gjithashtu në nga Avokati i Popullit, u evidentua se punonjësit e policisë nuk ishin të pajisur me masa mbrojtëse ndaj virusit korona.
Deklarata e plotë:
Institucioni i Avokatit të Popullit ka ndjekur me shqetësim të thellë ngjarjet e shënuara qysh prej orëve të para të mëngjesit ditën e sotme në Teatrin Kombëtar dhe protestave në orët në vijim.
Dy ditë më parë institucioni ynë ka nisur shqyrtimin e kërkesës së Aleancës për Teatrin në lidhje me aspekte të vendimmarrjeve të Këshillit të Ministrave dhe më pas të Këshillit Bashkiak të Tiranës përsa ato mund të cënojnë të drejtat e njeriut.
Ditën e sotme institucioni ynë ka ndjekur edhe situatën në terren.
Sot në datën 17.05.2020, u vumë në dijeni nga media se rreth orës 04:30, forca të shumta të Inspektoriatit Ndërtimor Tiranë të mbështetura nga Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit kanë ndërhyrë në godinën e Teatrit Kombëtar. Forcat e Policisë së Shtetit kanë hyrë brenda godinës dhe kanë shoqëruar me forcë në organet e Policisë, disa nga shtetasit që ndodheshin aty. Gjithashtu nga media u njoftuam se punonjësit e Policisë se Shtetit kishin bërë edhe shoqërime të një numri të konsiderueshëm të qytetarëve, të cilët kishin shkuar në vendngjarje pasi filloi prishja e godinës së Teatrit Kombëtar.
Pas këtyre informacioneve për veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit, në ushtrim të mandatit tonë si mbrojtës së të drejtave të personave të ndaluar e shoqëruar dhe trajtimin e tyre përsa nën mbikqyrje policore, Avokatja e Popullit organizoi punën për të vizituar të gjitha Komisariatet e Policisë së Tiranës, Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, vizita të cilat u kryen prej orës 9:30 deri në orën 14:00.
Në secilin komisariat u këqyren regjistrat dhe u takuan të shoqëruarit e pranishëm gjatë vizitës si dhe u morën shpjegime të hollësishme prej tyre.
Prej personave të shoqëruar nuk u pretenduan kryerje e veprime të dhunshme brenda ndërtesave të Komisariateve, por kishte ankesa në lidhje me dhunë fizike e psikologjike të ushtruar gjatë kapjes së tyre dhe rrugës për në Komisariatet e Policisë dhe disa persona kishin shenja dhune.
Rezultoi se ishin shoqëruar edhe disa gazetarë dhe shoqërimi i tyre gjatë kryerjes së detyrës është tërësisht i pajustifikuar. Avokati i Popullit do të hetojë e verifkojë me shumë kujdes çdo pretendim për tejkalim të forcës apo akte të dhunshme ndaj qytetarëve dhe personave të shoqëruar e do të dalë me konkluzionet përkatëse për çdo rast dhe kërkon si nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë por edhe nga ana e Prokurisë të Tiranës që këto raste të trajtohen në përputhje me rekomandimet e dhëna nga CPT (Komiteti për Parandalimin e Torturës së Këshillit të Europës) në raportin e bërë për Shqipërinë e të publikuar në shtator 2019.
Po kështu nga verifikimet tona rezultoi se disa shtetas, për shkak të dëmtimeve që kishin marrë, ishin dërguar për mjekim të specializuar në institucione spitalore. Nuk pati ankesa për vonesë në lidhje me dhënien e ndihmës mjeksore brenda një kohe të përshtatshme.
Nga të shoqëruarit nëpër Komisariate u informuam se prishja e godinës së Teatrit Kombëtar kishte nisur kur në godinë kishte ende qytetarë të grupimit Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, çka kishte vënë në rrezik serioz jetën e tyre.
Në lidhje me këtë çështje është duke u kryer një hetim i plotë për të verifikuar kushtet konkrete në të cilat është vepruar.
Nga këqyrja e dokumentacionit përkatës nëpër Komisariate, si dhe biseda me punonjës të policisë, u vunë re paqartësi në lidhje me momentin e shoqërimit të një pjese të shtetasve për në Komisiariate. Më konkretisht gjatë komunikimit me shtetasit e ndaluar por edhe informacion nga punonjësit e Policisë së Shtetit, u informuam se fillimisht një pjesë e tyre ishin dërguar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës dhe pasi ishin futur në mjedisin e shoqërimit, ku iu ishin marrë gjeneralitetet dhe sendet personale, ishin shpërndarë në komisariate të tjera. Avokati i Popullit konstatoi se personave nuk u komunikohej karta e të drejtave dhe as nuk ishin të afishuara në vënde të dukshme e lehtësisht të verifikueshme për të shoqëruarit/ndaluarit të drejtat e tyre proceduriale dhe për më tepër këto të drejta për disa prej tyre ishin mohuar. Personat e shoqëruar janë ndjekur përgjithësisht administrativisht për shkelje të rregullave të vendosura për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe pasi janë bërë veprimet janë lënë të lirë.
Nisur nga sa më sipër, si dhe mosperputhja e orarit në raportet e shërbimit hartuar gjatë ndalimit të këtyre shtetasve dhe këqyrjes së orarit të hyrjes së tyre nëpër komisariate, Avokati i Popullit i ka kërkuar sot zyrtarisht Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, vënien në dispozicion të dokumentave shtesë.
Gjatë vizitave në Komisariate grupet e punës të institucionit tonë, konstatuan se si kushtet e punës brenda komisariateve ashtu edhe pajisja e punonjësve me pajisje mbrojtëse nuk ishte në përputhje me Udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë.
Asnjë prej të shoqëruarve nuk ishte i pajisur me maska dhe doreza dhe nuk kishte në dispozicion sende për të siguruar higjienën personale. Në Komisariatin nr.1 Tiranë, kushtet higjieno-sanitare brenda godinës ishin mjaft të këqija dhe gjendja e dhomave të shoqërimit dhe të sigurisë nuk garantonte asnjë kusht minimal higjienik qoftë për situatë normale dhe aq më pak situatën me masa të shtuara për shkak të gjendjes së sëmundjes infektive. Personat e shoqëruar në këtë komisariat i gjetëm në korridore në një tentativë për të siguruar një lloj distancimi social, por sigurisht i pamjaftueshëm.
Punonjësit e Policisë ishin pjesërisht të pajisur me maska por të gjithë ishin pa doreza. Në komisiariatin 4 kushtet higjieno-sanitare ishin më të mira dhe ambientet e brendshme rezultonin të pastra, por masa të tjera si dezinfektantë apo doreza nuk kishte dhe vetëm një numër shumë i vogël punonjësish ishin të pajisur me maska.
Në asnjë rast nuk është garantuar detyrimi i qëndrimit të personave në ambiente të mbyllura 2 metra larg njëri tjetrit pasi numri relativisht i lartë i të shoqeruarve nuk e lejonte një gjë të tillë. Rezuton pra se shoqërimi i këtyre personave në tërësi si në momentin e kapjes dhe shoqërimin në komisariate por edhe brenda tyre nuk garantonte sigurinë e tyre shëndetësore në kuadër të kushteve të pandemisë dhe i ka ekspozuar ata ndaj rrezikut të infektimit nga sëmundja vdekjeprurëse.
Avokati i Popullit ngre ndërkohë shqetësimin se masat e vendosura në mënyrë energjike për kufizimin e lëvizjes dhe të grumbullimit të qytetarëve në kushtet e pandemisë globale janë shpërfillur në këtë rast në mënyrë të hapur nga institucionet e Inspektoratit të Ndërtimit dhe të Policisë së Shtetit.
Ndërkohë që e gjithë veprimtaria ekonomike dhe administrative në vend është mbyllur dhe limituar si masë mbrojtëse ndaj Coronavirusit, mbetet e pakuptueshme për institucionin tonë kriteri që është ndjekur për t’i përjashtuar specifikisht këto dy institucione nga ky kufizim dhe lejimi që ato të kryejnë operacione që implikojnë pjesëmarrjen e një numri të madh punonjësish në të njëjtin vend përsa grumbullimet masive janë rreptësisht të ndaluara
Avokati i Popullit ndërkohë gjen rastin të bëjë thirrje në mënyrë të përsëritur për respektim të parimit të proporcionalitetit në ndërhyrjet e policisë dhe organeve të tjera ligjzbatuese, të cilat në asnjë rast e në asnjë mënyrë nuk duhet ta përdorin pretekstin e kufizimeve të Covid-19 (të cilat për më tepër nuk respektohen nga vetë ato), si arsye për shtypjen e të drejtës civile për tubim paqësor.