Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Dy fjalë njeriut të mirë Edmond Budina, s’kam lidhje me punët e zeza që më akuzoni


Kryeministri Rama ka reaguar pas prishjes së Teatrit Kombëtar. Ai i drejtohet regjisorit Edmond Budina duke e quajtur atë njeri të mirë.

Në tre statuse në Twitter, kreu i qeverisë shkruan se Budina është në të drejtën e tij të mendojë ndryshe nga pjesa tjetër e aktorëve që ishin për ndërtimin e teatrit të ri.

Rama vijon reagimin e tij duke thënë se nuk është i pagabueshëm por nuk ka asnjë lidhje me punët e zeza për të cilat e akuzojnë.

“Dy fjalë njeriut të mirë Edmond Budina: Je në të drejtën tënde të vazhdosh të mendosh ndryshe nga Robert Ndrenika, Luftar Paja, Gëzim Kame, Viktor Zhusti, Ruzhdi Pulaha, Pirro Milkani, Albert Minga, Altin Basha e plot të tjerë që janë historia e vjetër dhe e re e skenës kombëtare…

Je në të drejtën tënde të mendosh njësoj si partitë e atyre që s’kanë ngulur një gozhdë për artin, kulturën, teatrin e donin ta kthenin edhe TK në zgjatim të politikës së tyre me bishtin kular në këmbët e Shqipërisë, ku çdo punë e jona përbaltet me fjalorin ekstrem të vulgaritetit..

Por ty nuk të takon të shash, fyesh e shpifësh njësoj si ata e as nuk ke të drejtë t’i imponohesh vullnetit të qeverisë, bashkisë apo shumicës së komunitetit teatror, sepse sharjet e fyerjet s’janë art, shpifjet s’janë trashëgimi kulturore dhe demokracia nuk është teatër absurd…

Unë s’jam as shenjt e as i pagabueshëm dhe nuk ndal dot askënd të më pikturojë si djall, por unë kam lidhje autorësie me punët e zeza që më akuzoni, po aq sa ç’kanë lidhje me Shekspirin dhe Molierin ato partitë që u ngulën tek teatri si në sheshin e radhës për përsheshin e radhës!” – shkruan Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *