Autoritetet holandeze kanë vendosur se seksi është një domosdoshmëri, madje edhe në kohën e mbylljes për shkak të pandemisë Covid-19.
Ato u kanë sugjeruar qytetarëve që në kushtet e karantinës të ‘bëjnë marrëveshje’ me një partner për të kryer marëdhënie.
Me më shumë se 43,000 njerëz të infektuar me koronavirus dhe një numër vdekjesh prej 5.600 personash, Hollanda ka qenë e mbyllur që nga fundi i marsit. Qytetarëve u lejohet të kenë deri në tre vizitorë në shtëpitë e tyre, me kusht që të mbajnë një distancë prej 1.5 metrash nga njëra-tjetri. Natyrisht, kjo përjashton shumicën e aktivitetit seksual.
Sidoqoftë, Instituti Kombëtar Holandez për Shëndetin Publik dhe Mjedisin (RIVM) ka pranuar se dy muaj pa seks janë një situatë e zymtë.
Për ata që nuk janë karantinuar me një partner, organizata tani rekomandon që njerëzit e vetmuar të gjejnë një partner të besueshëm për të kaluar karantinën.
“Diskutoni se si ta bëni më mirë këtë”, shkroi RIVM në faqen e saj të internetit këtë javë.
“Për shembull, takohuni me të njëjtin person për të patur kontakte fizike ose seksuale me kusht që të mos keni sëmundje.”
Nëse njëri partner dyshon se është infektuar, RIVM këshillon që personat të kalojnë në ‘seks me veten’, ose ‘në distancë’, duke i treguar histori erotike njëri-tjetrit.