Vendosni fjalën kyçe....

“Teatri i vjetër iku, me zemër të thyer ju ftoj të bashkëpunojmë”


Kryebashkiaku Veliaj ka bërë thirrje për bashkëpunim lidhur me teatrin e ri.

Ai tha në një videomesazh në Facebook drejtuar qytetarëve dhe sidomos atyre që sipas tij nuk ishin dakord me prishjen e teatrit dhe ndërtimin e një të riu.

“Teatri i vjetër iku, tani përgatitemi për teatrin e ri. Por teksa përgatitemi për teatrin e ri, duhet të nxjerrim disa mësime. Një ndër mësimet që duhet të nxjerrim është se duhet të bashkëpunojmë; duhet të bashkëpunojmë ta përmirësojmë këtë ide. Kemi disa ide shumë të mira që e kanë pasuruar projektin nga artistët, por unë besoj se mund të bëjmë akoma më mirë. Sot dua t’i shtrij dorën kujtdo që nuk ishte dakord me ne në këtë betejë; kujtdo që ndoshta, edhe pse s’e ka ekspertizën inxhinierike, edhe pse s’e ka ekspertizën ligjore për të kuptuar si funksionojnë këto procese, apo ndoshta as njohurinë bazë që, jo vetëm që nuk ishte kurrë monument, por që në 2018 ishte i rrezikuar, dhe siç u pa sot pas prishjes, ishte i gjithë populit, tallash, teneqe. Ndaj, dua t’ia shtrij dorën kujtdo, që për një arsye apo për një tjetër, sot zemrën e ka të thyer dhe ndihet i trishtuar, se një betejë që i mori kohë, energji, doli pa fryt. Dua t’ju them që nuk është kështu.” – tha Veliaj.

Ai bën thirrje se është koha për shqiptarët që të mos i lënë partitë që të përçahen dhe se tani është momenti për t’u bashkuar.

“Ka ardhur koha që të përqafojmë njëri-tjetrin, të mos lëmë partitë të na përçajnë, të mos lëmë partitë të sulin shqiptar me shqiptar, vëllezër dhe motra kundër njëri-tjetrit. Ky nuk është momenti për t’u përçarë, por për t’u bashkuar! Besomëni! Partitë politike fërkojnë duart kur shohin sesi ne përçahemi. Dhe për çfarë? Për të pasur një teatër të ri modern për fëmijët tanë dhe gjeneratat e reja të këtij qyteti. Ndaj, vëllezër dhe motra, çfarë iku, iku. Ka ardhur koha të bëhemi bashkë. Ajo që na ka hije është që tani ne të bashkëpunojmë. Nuk ka rëndësi nëse kemi qenë në anë të ndryshme të kësaj barrikade deri më sot, por unë sot, me zemër në dorë, dua t’ju shtrij dorën, t’ju hap krahët dhe dua që të bashkëpunojmë sesi ne këtë projekt mund ta bëjmë akoma më të mirë seç e kemi sot. Në finale do harrohet zhurma siç u harrua te Pazari i Ri, te Kalaja, te Sheshi, te Lumi, te Bulevardi, te Liqeni dhe te Lodrat. Në finale do të triumfojë produkti. Kemi mundësinë sot të kalojmë në një produkt cilësor, të denjë për Tiranën e këtyre 100 viteve që vijnë.” – vijon deklaratën Veliaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *