Në një videomesazh të gjatë në Facebook, kryebashkiaku Veliaj ka mbrojtur vendimin e marrë nga bashkia për prishjen e Teatrit Kombëtar.
Ai thotë se vendimi është marrë pas vlerësimit të Institutit të Ndërtimit, sipas të cilit që në vitin 2018 teatri paraqiste rrezikshmëri.
Veliaj thotë më tej se teatri duhej prishur pasi në rast se personave që e kishin zaptuar atë pa letra e pa leje do u ndodhte diçka, atëherë pronari i godinës, rrezikonte 2.5 vjet burg.
“Kjo është arsyeja pse sapo na u transferua prona, menjëherë kërkuam, siç kërkojmë tipikisht për çdo pronë që na transferohet, që kjo të verifikohet nga Instituti i Ndërtimit. Instituti i Ndërtimit e vlerësoi në vitin 2018, si një ndërtesë të amortizuar dhe të rrezikshme, siç u pa nga rënia e lehtë që iu bë sot, me të prekurat e para. E verifikuan sërish për herë të dytë dhe Instituti i Ndërtimit sërish tha: Kjo është një ndërtesë e rrezikshme. E vërtetuam me Institutin e Monumentit të Kulturës, i cili tha: Kjo ndërtesë nuk ka qenë kurrë monument kulture, madje në 2007, ata që e përdorën më shumë politikisht këto dy vite e gjysmë këtë betejë, e hoqën edhe si mundësi për ta futur ndonjëherë në listat e monumenteve të kulturës, duke e konsideruar diçka krejt të pavlerë.
Pasi mbaruam gjithë këto diskutime, në momentin që u bëmë pronarët e parë të kësaj ndërtese, nëse diçka do i ndodhte secilit prej atyre që okuponte atë pronë publike në mënyrë të padrejtë, pa letra, pa dokumente, thjesht duke hyrë aty, duke bujtur gjatë ditëve të protestës këto 2.5 vjet, do të rrezikonte jetën, dhe përgjegjës do ishte pronari i asaj prone, që ka lejuar të tjerët të futen aty.
Në momentin që Instituti i Ndërtimit dha këtë mendim, njoftuam mbledhje të Këshillit Bashkiak, siç janë bërë të gjitha mbledhjet kolegjiale këto kohë, online, dhe morëm vendimin për të bërë këtë prishje, siç e ka rekomanduar Instituti i Ndërtimit. Pasi u verifikuam që jo vetëm ndërtesa nuk ishte e mbrojtur, siç pretendojnë disa, por ndërtesa s’kishte qenë kurrë në këtë listë dhe është insistuar sidomos për të mos e futur nga ata që e përdorën politikisht këtë betejë.” – tha ndër të tjera Veliaj në videomesazhin e tij.