Kryebashkiaku Veliaj ka thënë se vendimi për prishjen e teatrit ka qenë më i vështiri i jetës së tij, por ka qenë një vendim i drejtë.
Në një videomesazh të gjatë në Facebook, kryebashkiaku tha se rëndësi do ketë produkti final. Ndër të tjera Veliaj tha se mezi pret në ditët në vijim që t’i kalojë duke bashkëpunuar e duke u përqafuar e jo duke u përçarë.
“Sot ka qenë një ditë e pazakontë për Tiranën kur na u desh të merrnin një vendim të drejtë por të vështirë. Në finale do triumfojë produkti. Kemi mundësinë të bëjmë një projekt më të mirë. Ju dua shumë. Ndonjëherë kjo detyrë kërkon të marrësh vendime të vështira, më i vështiri i jetës sime për të zbatuar vendimin e këshillit bashkiak.
Kemi marrë një vendim të drejtë. Na priftë e mbara. Mezi pres që ditët që kemi përpara t’i kalojmë duke bashkëpunuar, duke u përqafuar, duke u vëllazëruar e jo duke u përçarë.” – tha ndër të tjera Veliaj.
Në videomesazhin drejtuar qytetarëve, Veliaj tha se teatri ka qenë një ndërtesë tejet e amortizuar dhe se diskutimi për një teatër të ri bëhet prej më shumë se 70 vitesh.
“Sot ka qenë një ditë kur na u desh të merrnim një vendim të drejtë, por jashtëzakonisht të vështirë. Them vendim i drejtë sepse diskutimi për një teatër të ri ka qenë një diskutim prej 70 vitesh, që në momentin kur periudha e përkohshme e atyre pak viteve të luftës mbaroi, për të hapur një diskutim tjetër, çfarë do të kemi si ndërtesë permanente të Teatrit Kombëtar. Ajo ndërtesë u sajua ndër vite si për gjyqet popullore të asaj kohe, por pastaj edhe për funksione të tjera, pastaj edhe kinema, pastaj sërish teatër, pastaj bingo e sërish teatër, një ndërtesë jashtëzakonisht e amortizuar. E filluam këtë diskutim, pra këtë round të fundit të diskutimeve të këtyre tre viteve, kur propozuam një teatër të ri me transferimin e administratës së re në Bashkinë e Tiranës. Kishim një projekt për Pazar të Ri, Bulevard të Ri, për një Breg të ri të Lumit, për një pjesë të re të Liqenit, për një Shesh të ri, një Kala të re dhe sigurisht, edhe për një Teatër të Ri, bashkë me shumë shkolla, rrugë e investime të reja, që i kanë hije Tiranës për 100 vitet e fundit.” – tha Veliaj.
Më tej kryebashkiaku theksoi se lidhur me teatrin e ri janë zhvilluar 12 dëgjesa publike dhe në vijm qeveria dhe bashkia kanë bërë përherë hapa pas për të respektuar sa më shumë kërkesat e aktorëve dhe qytetarëve.
“Gjatë gjithë këtij procesi, këtyre 12 takimeve të hapura, por edhe qindra takime individuale që unë si kryetar bashkie kam bërë me pjesën më të madhe të komunitetit të artistëve, ne sigurisht kemi moderuar qëndrimet tona, por në një negociatë nuk mund të marrësh gjithçka. Ne nuk mund ta kemi teatrin edhe pa kullë, edhe në tokë të vet, edhe pa bërë asnjë investim tjetër privat, edhe pastaj me paratë tona, por edhe të ruajmë të vjetrin. Në një qendër të Tiranës, ku janë të gjitha institucionet e rëndësishme dhe jo në periferi si Bregu i Lumit apo fshatrat e Tiranës, ku ne mund të kemi toka të lira.” – vijon videomesazhin Veliaj.