Lëvizja Vetëvendosje, dega e Tiranës ka vendosur t’i bashkangjitet protestës së thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit në orën 16 e 30.
Në njoftimin zyrtar, Vetëvendosje u bën thirrje qytetarëve të Tiranës e Shqipërisë që të protestojnë kundër prishjes së Teatrit Kombëtar.
Në njoftim theksohet se teatrit nuk duhet t’i preket asnjë centimetër.
Vetëvendosje bën thirrje gjithashtu shpërndarjen e Kuvendit, hetimin nga prokuroria të të gjithë personave përgjegjës në nivel qendror e lokal, lirimin e të arrestuarve dhe ndalimin e dhunës fizike e psikologjike ndaj qytetarëve.
“Sot së bashku me qytetarët në protestë për Teatrin!
Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri i bashkangjitet protestës së sotme në orën 16:30 të thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës e të Shqipërisë që të protestojnë kundër shkatërrimit të paligjshëm dhe barbar të Teatrit Kombëtar si pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare.
Me anë të kësaj proteste Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri bën thirrje që të ndalen menjëherë veprimet e paligjshme të Qeverisë dhe të Bashkisë së Tiranës në zonën e Teatrit Kombëtar. Asnjë centimetër katror i Teatrit nuk duhet tjetërsuar.
Ekzistojnë të gjitha mundësitë arkitektonike dhe ndërtimore që kompleksi i Teatrit Kombëtar të rindërtohet me arkitekturën dhe materialet origjinale dhe të vihet në funksionim me kushtet më bashkëkohore për shfaqjet artistike.
Veprimet e djeshme antikushtetuese, antiligjore dhe antikombëtare e zhveshën pushtetin aktual nga çdo grim legjitimiteti. Andaj kërkojmë shpërndarjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe kërkojmë t’i hapet rrugë shprehjes së vullnetit të popullit.
Për shkeljet flagrante të Kushtetutës dhe të ligjit kërkojmë që:
- Prokuroria të procedojë penalisht të gjithë përgjegjësit e dhunës në pushtetin qëndror dhe vendor;
- Policia e Shtetit të ndalojë dhunën fizike dhe psikologjike ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtat e tyre kushtetuese;
- Të lirojë të gjithë të arrestuarit e protestës në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.
Ata që sot rezistojnë, nesër fitojnë!
Tiranë, 18 maj 2020
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri”