Kryedemokrati Lulzim Basha pas mbylljes së protestës ditën e sotme përballë Ministrisë së Brendshme deklaroi se do vijojë të mbështesë protestat e zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.
Basha shtoi se shkatërrimi i Teatrit nuk ishte fundi por fillimi i fundit të tiranisë dhe teatrit që Rama ka luajtur për 7 vjet me shqiptarët dhe me kushtetutën.
“Do mbështesim të gjitha protestat e aleancës për teatrin, në krah të qytetarëve kudo që të ketë protesta, PD do jetë në krah të tyre.
Shkatërrimi nuk është fundi i Teatrit, i kulturës, i artit, i guximit por fillimi i fundit të tiranisë dhe teatrit që Rama ka luajtur 7 vjet me shqiptarët me jetën e tyre, me institucionet, me Kushtetutën e vendit dhe ky fund do vijë shpejt dhe do jetë çlirimtar.
Përsëris vendosmërinë time dhe të PD për t’i qëndruar marrëveshjes për Teatrin, rindërtimin aty ku ishte dhe si ishte dhe ndëshkimin e autorëve. Sot një ditë e re shprese, besimi të shqiptarëve”- deklaroi Basha.