Vendosni fjalën kyçe....

Dje Tirana humbi Teatrin e sot priten sërish protesta – 17 Maji mes fotosh e videosh


Sot priten sërish protesta, për shkak të shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental.

Regjisori Robert Budina dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, kanë bërë thirrje për t’u mbledhur sërish në protestë.

Ora për protestën është lënë në 16:30 përballë Ministrisë së Brendshme.

Regjisori tha se nuk do marrë leje, ndërsa tregoi se ç’ndodhi mëngjesin e 17 Majit te Teatri. Budina tha se policia ndërhyri kur ata ishin brenda Teatrit, duke i dhunuar.

Protesta e artistëve dhe qytetarëve do të mbështetet edhe nga opozita e bashkuar, që u ka bërë thirrje mbështetësve të tyre por dhe gjithë qytetarëve t’i bashkohen për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Vendimi i opozitës u morr në orët e vona të mbrëmjes, pas mbledhjes në selitë e tyre. Për më tepër, kreu i PD-së, Lulzim Basha premtoi se do të rindërtojë Teatrin Kombëtar ashtu siç ishte, kur PD të vijë në pushtet.

Çfarë ndodhi dje

Ndërhyrja është bërë rreth orës 04:30 të mëngjesit ndërsa forca të shumta policie kishin rrethuar paraprakisht godinën e Teatrit dhe konkluduan aksionin pas më shumë se dy vjetësh rezistencë nga ana e artistëve dhe aktivistëve.

Gjatë aksionit janë shoqëruar dhjetëra qytetarë e artistë, politikanë e aktivistë, ndërsa është përdorur dhe gaz lotsjellës.

Pamjet nga vendngjarja kanë treguar në fakt se si edhe pas ndërhyrjes, njerëzit janë marrë me dhunë nga policia. Përmendim këtu gazetarin e analistin Alfred Lela, apo ish-deputeten Silva Caka.

Mes qytetarëve që protestonin dhe policisë ka patur përplasje, e këta të fundit nuk mbanin numra identifikues në uniformat e tyre.

Teksa qytetarët po përpiqeshin të çanin gardhin e vendosur nga efektivët me maska dhe pa numrat identifikues, një prej tyre rrëzohet në tokë dhe dhjetëra policë e godasin me shkelma në fytyrë e trup ndërkohë që qytetari përpiqet të mbrohet me duar. E ky nuk ishte rasti i vetëm.

Ndërkohë policia i ka mohuar aktet e dhunës. Në një deklaratë për mediat madje shpreh keqardhjen për dizinformimin e disa mediave lidhur me atë që ka ngjarë.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se policia ka punuar në kushte tejet të vështira për shkak të mungesës së mirëkuptimit nga ana e qytetarëve të grumbulluar në territorin e teatrit. Por videoja e mëposhtme tregon qytetarë në punën e tyre, të ulur këmbëkryq për të protestuar e që policia u afrohet me dhunë dhe i tërheq zvarrë.

 

View this post on Instagram

 

Policia ka shoqëruar me forcë disa aktivistë të tjerë që po qëndronin pranë ish-Teatrit Kombëtar.

A post shared by A2 CNN Affiliate (@a2_news) on

Mediet afër qeverisë pas shembjes nga fadromat të godinës së Teatrit Kombëtar vrapuan të raportonin materialet me të cilat ishte ndërtuar godina.

Tallash dhe kompensata ishin materialet me të cilat ishte ndërtuar godina të raportuara në media si Top Channel, Tema apo Shqiptarja.

 

Materiale këto të përdorura për justifikim nga qeveria dhe bashkia për t’i vënë ruspën Teatrit Kombëtar. E po të njëjtat media, ndërkohë që protestuesit dhunoheshin barbarisht nga policia i tregonin lexuesve të tyre se sa modern do të jetë Teatri i Ri.

Avokati i Popullit reagoi për protestën e zhvilluar kundër shembjes së Teatrit Kombëtar dhe ngjarjeve që u zhvilluan në të.

Institucioni bën me dije se gjatë inspektimit në terren u vunë re shenja dhune të ushtruara ndaj qytetarëve, ndërsa e konsideron të pa justifikuar shoqërimin e disa gazetarëve.

Një aksion simbolik u mbajt dhe para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, në shenjë solidarizimi me artistët në Shqipëri.

Përafërsisht 50 persona kanë qëndruar para teatrit me maska dhe me pankarta në të cilat kishte mbi shkrime si: “Muret i shembni, por jo teatrin”, “Me teatrin” dhe të tjera.

Në shenjë solidarizimi, kundër shembjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar në Tiranë, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri i Gjilanit, Teatri “Hadi Shehu” – Gjakovë”, Teatri “Bekim Fehmiu” Prizren, Teatri “Adriana” – Ferizaj”, Teatri “Muharrem Qena” – Mitrovicë, Qendra Multimedia”, “Teatri Oda”, Teatri “Urban”, “Etno Teatri – Kukaj”, kanë anuluar shfaqjen “Skënderbeu ose dashuri dhe liri”, e cila ka qenë e planifikuar në kuadër të kalendarit online.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka thënë se vendimi për prishjen e teatrit ka qenë më i vështiri i jetës së tij, por ka qenë një vendim i drejtë.

Në një videomesazh të gjatë në Facebook, kryebashkiaku tha se rëndësi do ketë produkti final. Ndër të tjera Veliaj tha se mezi pret në ditët në vijim që t’i kalojë duke bashkëpunuar e duke u përqafuar e jo duke u përçarë.

Shembja e Teatrit Kombëtar nga fadormat e qeverisë e cila u shoqërua edhe me tensione, arrestime apo edhe përplasje nuk shpëtoi nga mediat ndërkombëtare.

Transmetimin u raportua nga shumë media ndërkombëtare, mes tyre ReutersDaily MailDaily IndipendentThe Washington PostAssociated Press.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *