Mbrëmjen e kaluar, analisti Andi Bushati dhe nënkryetari i bashkisë së Tiranës Arbër Mazniku, u futën në debate gjatë emisionit “Open”.
Bushati akuzoi bashkinë se komunikimi publik i saj lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar, ka qenë i mbushur me “gënjeshtra meskine”.
Ai kujtoi alibinë e bashkisë që godina e Teatrit përbën rrezikshmëri nga tërmetet, por kjo u përgënjeshtrua edhe nga goditjet e forta të fund shtatorit edhe nga ato të fund nëntorit.
Mirëpo nënkryetari i bashkisë e mohoi që kjo tezë të ishte ngritur ndonjëherë nga bashkia.
Ai e akuzoi Bushatin se po prodhonte një lajm të rremë e madje i kërkoi që të hetonte dhe nëse nuk e provonte dot, ditën tjetër, pra sot, të kërkonte falje publike. Nëse e provonte të publikonte provat në portalin e tij Lapsi.al.
VIDEO: Përplasja Bushati-Mazniku
E këtë mëngjes Bushati ka bërë të dytën. Ai ka publikuar dy video të drejtorit të Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu Hysenlliu, i cili flet për rrezikun sizmik duke e konsideruar si një nga arsyet pse godina ka krijuar çarje sipas tij.
Bushati shkruan se të njëjtin qëndrim se Teatri rrezikohej nga tërmetet, Agron Hysenlliu e ka mbajtur edhe para komisionit parlamentar për veprimtaritë prodhuese, në 3 korrik 2018. Aty ka qenë i pranishëm kryetari i këtij komisioni, Eduart Shalsi, ish ministri Ilir Beqja, e disa opozitarë të tjerë që si kishin djegur ende mandatet.
PROVAT E PUBLIKUARA NGA BUSHATI SOT:
E pavarësisht se i nxori provat, Bushati shprehet se nuk e kërkon dhe as nuk e do ndjesën nga ana e Maznikut, pasi sipas tij ai është detyruar të gënjejë nga shefi i tij. Bushati shkruan se këtë do ta dëshironte nga ana e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj.
Ai shkruan: “Natyrisht unë nuk kam ndërmend t’i kërkoj atij, burrërinë e plotësimit të sfidës për të cilën dorashkën e hodhi vetë i pari. As nuk e dua, as nuk e pretendoj ndjesën e tij. Së pari se e di, që ai nuk gënjeu për hesap të tij. Ishte i detyruar ta bënte për llogari të kryetarit që këtë herë e bën për llogari të kryeministrit.
Dhe së dyti sepse po të kërkoja ndjesë nga bashkia, këtë do ta doja nga Erion Veliaj. Ende e kam të ngullur në kujtesë atë ditë vere të vitit 2015, kur në studion e ‘Opinion’ më pa në sy dhe më tha pa iu dridhur qerpiku: ‘Qytetarët e Tiranës duhet të më votojnë, sepse me dorën time nuk do të firmos asnjë leje ndërtimi në Tiranë’.”