Kreu i Shtetit Ilir Meta, edhe një njëherë ka shkruar për ngjarjen e ndodhur më 17 maj ku u shemb Teatri Kombëtar.
Meta thotë se kjo ngjarje nuk do amnistohet kurrë duke shtuar se maska e tiranisë ra përpara shqiptarëve.
Meta thotë se kauza e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit nuk humbi por tani ajo është e të gjithëve në shembjen e tiranisë.
“Ajo që ndodhi në errësirën e 17 majit nuk do të amnistohet kurrë! Ndërgjegjja shoqërore dhe kombëtare u lëndua si kurrë më parë. Maska e tiranisë ra përpara të gjithë shqiptarëve dhe e gjithë bota e vërtetë demokratike u shokua.
Kurrë një ngjarje nga Shqipëria s’do prodhonte një jehonë të tillë dhe negative, që nuk shlyhet më dhe as harrohet derisa mbi rrënojat e 17 Majit të vendoset Drejtësia.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk humbi, por fitoi një kauzë edhe më të madhe duke i ndihmuar të gjithë shqiptarët e përgjumur për t’u zgjuar e bashkuar para se Tirania t’i shembë secilit shtëpinë e tij si banorëve të Unazës së Re.
Të gjithë shqiptarët e ndershëm u ndjenë të dhunuar pabesisht dhe poshtërsisht pasi Teatri ishte tempulli i tyre i përbashkët.
Të gjithë u ndjenë edhe në faj e borxh për heronjtë dhe heroinat që e mbrojtën atë për dy vjet e gjysmë me sakrifica të patreguara dhe nën presione të gjithanshme.
Tani kauza e tyre është e të gjithëve ne, dhe nuk do të ndalojë deri në shembjen e Tiranisë dhe Rindërtimin e Teatrit. Mirënjohje të përjetshme artistëve të cilët zgjuan qytetarinë.
Një popull që fle në demokraci zgjohet në diktaturë.
A nuk u zgjuam në diktaturë në mes të errësirës në 17 maj?”-shkruan Meta.