Partitë europiane janë përplasur lidhur me prishjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë mëngjesin e së dielës.
Ditën e djeshme, presidenti i PPE (Partitë Popullore Europiane), Donald Tusk, dënoi më forcë prishjen me nxitim të teatrit dhe dhunën e ushtruar nga policia ndaj qytetarëve e artistëve.
Ndërsa ditën e sotme, PES (Partia e Socialistëve Europiane) ka deklaruar se prishja e teatrit nuk duhet përdorur për qëllime politike.
Në një reagim, PES sqaron se është informuar se godina ka qenë e rrezikshme dhe tashmë ka nisur puna për ndërtimin e një teatri të ri e modern.
Në reagim bëhet thirrje që kjo çështe të mos shfrytëzohet nga partitë politike për të përhapur përçarje mes qytetarëve.
“Përdorimi i situatës rreth ndërtesës së Teatri Kombëtar, një pronë e bashkisë në Tiranë, për të përhapur përçarjen dhe polemikat midis qytetarëve shqiptarë është thellësisht shqetësuese. Kohët e fundit Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në rrugën e saj drejt integrimit evropian, të cilin ne e mbështesim plotësisht. Përpjekjet e disa forcave politike për të shfrytëzuar këtë rast dhe për të inkurajuar përshkallëzimin e tensioneve nuk do i bëjnë mirë as artistëve interpretues në Shqipëri, as qytetarëve të tij.” – ka deklaruar presidenti i PES-it, Sergei Stanishev.