Një nga personat që morën pjesë dje gjatë protestës pas shembjes së Teatrit, ishte edhe një emigrant nga Greqia. Zotëria kishte ankesat e tij ndaj qeverisë Rama dhe për këtë arsye kishte vendosur të bashkohet me kauzën e Teatrit, dhe thotë se është kthyer nga Greqia pikërisht për këtë.
Ai kujton premtimet e kryeministrit Edi Rama për emigrantët, që dikur u thoshte se s’do kishin nevojë të kthehen më në Shqipëri për pasaportat por se rinovimin e tyre dhe aplikimin për to mund ta bënin në konsullatën shqiptare atje. Qytetari i irrituar thotë se si ai, shumë emigrantë të tjerë do vijnë dhe do ta rrëzojnë qeverinë në zgjedhjet e ardhshme. Madje thotë se kryeministri Edi Rama goditjen më të madhe do ta marrë pikërisht nga emigrantët.
“Kam ardhur nga Greqia tani, vetëm për këtë protestë kam ardhur. Ta dish ti. Nga Greqia kam ardh. Këtij që kur ka marrë pushtetin në atë kohë, erdhi e na tha: ‘Atje emigrantët do të keni konsullatën, do të merrni pashaportën këtu, nuk do të vini në Shqipëri, nuk do bëni këtë…’
I kam çuar mesazh që jam pa bukë e pa ujë, e u tallte në mesazhe. Nga Greqia do vijnë edhe të tjerë emigrantë këtu dhe goditjen më të madhe ka për ta marrë nga emigrantët, ky qen. Gjithë emigrantët këtu kanë për të ardhur në zgjedhje. Se herën tjetër na i ka marrë ato, na i ka vjedhur votat. Na ka ardh në Greqi e na ka shpartalluar, duke thënë do keni konsullatën këtu, do merrni pashaportat këtu. Në zgjedhje nga emigrantët ka për ta marrë goditjen më të madhe ai. Nga Greqia kam ardhur vetëm për këtë. “- tha qytetari para kamerës së Fax News.
Ai tregoi dhe incidentin që i kishte ndodhur vetë gjatë kthimit nga Greqia, ku polici kufitar i kërkonte para për t’a lejuar të kalonte, pasi kishte dyshime se vinte vetëm për të protestuar.
“Më të poshtrat. Shkon në doganë, më jep lekë thotë të vë vulën ose të dalësh atje. Të shkojë atje të shohë se ça bëhet në doganën e Kapshticës. Polici sot thoshte më jep lekët të vë vulën, nuk vinte vulën. Se thoshte do shkosh në miting. Ta marrë vesh se gjithë emigrantët nga Greqia kanë për të ardhur. Të zhduket nga qeveria, nuk e duam këtë lloj qeverie pikë.”- përfundon emigranti.