Kryeministri Edi Rama i është rikthyer edhe njëherë çështjes së Teatrit Kombëtar, duke publikuar disa foto nga skena e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Rama thotë se dje ka vizituar TKOB-në, ndërsa beson se fotot nga kjo skenë do t’i ndihmojnë të rinjtë të kuptojnë se sa janë gabuar duke u bashkuar me kauzën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.
Madje ai thotë se ata gabimisht u janë “bashkuar” ca politikanëve e partive si “tallashi e teneqeja e ngrehinës së shembur”.
Sipas Rames, janë harxhuar energji e 21 vite të humbura kot për komunitetit tonë teatror, që meritonte të punonte në kushte më dinjitoze.
“Dje, duke vizituar kantierin e Teatrit të ri të Operas dhe Baletit, ku po përfundon një transformim fantastik brenda asaj hapesire deri dje të degraduar që turpëronte Shqipërinë e shtetin e saj, m’u kujtua që 21 vjet më parë, tamam në të njëjtin vend mbi skenë, nisi beteja publike për reformimin e sistemit teatror shqiptar dhe rindërtimin me themel të skenës kombëtare e të vetë Teatrit Kombëtar…
Sa shumë energji të harxhuara e vite të humbura kot për komunitetit tonë teatror, që qysh atëherë kaloi edhe 20 vjet të tjera në kushtet e një mizerjeje pa të dytë në Europë dhe sa keq për publikun artdashës, që nuk pati dot kurrë mundësinë të shijonte artet skenike në kushte dinjitoze as në TKOB e as në Teatrin Kombëtar!
Sa keq që tërë ato yje të skenës sonë kombëtare u shuan, pa punuar dot një ditë në një skenë normale dhe një gjeneratë e tërë u moshua, pa shijuar dot kurrë një shfaqje në kushte normale!
Skenat e reja kombëtare, kjo e Operas e Baletit dhe ajo e Teatrit Kombëtar, përveç të tjerash do t’i ndihmojnë edhe disa të rinj që gabimisht u janë “bashkuar” ca politikanëve e partive si tallashi e teneqeja e ngrehinës së shembur, të kuptojnë nesër pse sot ia fusin krejt kot, kur revoltohen për monumentin imagjinar që mbajti peng artet skenike, komunitetin teatror dhe debatin për Teatrin e Ri Kombëtar, tash 21 vjet”– shkruan Rama.
Rama bën sikur harron se godina e Teatrit Kombëtar e Operas dhe Baletit, nuk është shembur e gjitha për të ndërtuar nga fillimi diçka të re si në rastin e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental. Por është bërë rikonstruksion i saj. Dhe ajo që u dhemb artistëve e aktivistëve, është pikërisht kjo, shembja e godinës dhe mosruajtja e vlerave shpirtërore, kulturore e historike të saj.