Ish-deputeti i PD-së në Fier, Luan Baçi ka postuar disa video ku tregohet ndotja e lumit Gjanica që kalon nëpër qytet.
Ai shkruan se edhe pse u shpenzuan miliona euro për sistemimin e tij e miliona të tjera për filtrimin e pastrimit e ujit, sërish ai është i ndotur.
Baçi thekson se kryebashkiaku Subashi është përgjegjës për ndotjen që ndodh nga kompanitë e naftës. Ai shkruan se Subashi dhe Inspektoriati i Mjedisit e Ministria e Mjedisit duhet të përgjigjen për ndotjen.
“Pamje nga Gjanica sot, lumi që përshkon Fierin mes për mes, lumi që u hodhën miliona euro për sistemimin e tij, lumi që u investuan miliona euro të tjera sistem filtrimi dhe pastrimi të ujit dhe që u propagandua nga Subashi i emëruar i bashkisë, si një arritje e madhe.
E mbani mend Subashin, kur inaguronte këtë sistem filtrimi dhe pastrimi? E mbani mend kur thoshte që në ujin e pastër të Gjanicës do të ketë peshq dhe mbi të do të fluturojnë pulëbardhat?
Shikoni Gjanicën tani dhe mendoni se sa gënjeshtarë të pandreqshëm janë këta. Pse nuk shqetësohet bashkia dhe kryetari i emëruar i saj, për ndotjen e madhe mjedisore dhe erën shumë të rëndë dhe të padurueshme që po dëmton, shëndetin e qytetarëve si dhe florën dhe faunën?
Çfarë interesash kanë me kompanitë naftë nxjerrëse? Përse janë kaq fuqiplotë, këto kompani dhe rafineritë, që derdhin pa pushim, mbeturina shumë ndotëse dhe të dëmshme?
A ka ndonjë përgjigje Subashi, për këtë? Po inspektoriati i mjedisit, Ministria e Mjedisit dhe institucionet e tjera a kanë ndonjë përgjigje, për këtë problem shumë shqetësues?
Po prokuroria, pse nuk fillon një hetim, për këtë krim mjedisor, shumeë të rëndë dhe mjaft të dukshëm? Ndiqni videot, shikoni lumin Gjanica dhe përgjigjia është aty, prej shumë vitesh tashmë. Të gjithë janë të kapur.” – shkruan Baçi në Facebook.