INSTAT ka raportuar paraprakisht një tendencë rënëse të vdekjeve në tremujorin e parë të vitit, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas treguesve demografike, të publikuara sot nga INSTAT, 6,115 persona humbën jetën në janar-mars, në krahasim me 6,361 në tremujorin e parë 2019, me një rënie prej gati 4%, ose 246 jetë të humbura më pak.
Këto janë të dhëna paraprake dhe INSTAT pohon se do i rivlerësojë në të ardhmen, për shkak të vështirësisë së mbledhjes së informacionit nga situata e Covid-19.
Përgjithësisht, tremujori i parë ka një numër më të lartë vdekjesh, në raport me periudhat e tjera, që nga mjekët shpjegohet me faktin se i ftohti ul imunitetin dhe kjo çon në humbjen e jetës së personave të dobët, sidomos të moshuarve.
Por, të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e parë të 2020-s, numri i vdekjeve ka qenë më i ulëti në katër vitet e fundit për të njëjtën periudhë kohore. Rekordi është shënuar në tre muajt e parë 2017, me 6,791 vdekje (shiko grafikun).
Mjekët pohojnë se një arsye e rënies së vdekjeve, mund të lidhet me faktin që izolimi ka bllokuar edhe gripin sezonal.
“Nga ana tjetër, individët, duke qëndruar në izolim dhe të shkëputur nga puna, kanë qenë të prirur për më pak infarkte dhe goditje të tjera në tru”, thotë Petrit Malaj, pneumolog. Edhe tkurrja e popullsisë është një tjetër faktor.
Mjekët kanë konstatuar se kërkesa për shërbime spitalore ka shënuar rënie të lartë, përfshirë dhe urgjencat e zakonshme në spitale, teksa izolimi duket se i ka bërë mirë dhe sëmundjeve të tjera.
Mesatarisht në tremujorin e parë 2020 kanë humbur jetën 67 persona në ditë, nga rreth 70 persona në ditë në janar-mars 2019 dhe 75 persona në 2017-n, kur është shënuar dhe numri më i lartë i vdekjeve.
Por, INSTAT thekson në publikim se NUMRI i LINDJEVE DHE VDEKJEVE GJATË TREMUJORIT TË PARË 2020 MUND TË MOS REFLEKTOJË REALITETIN, PASI PËR SHKAK TË SITUATËS SË COVID -19, MOS RAPORTIMET NËPËR ZYRAT E GJENDJEVE CIVILE NË TË GJITHË SHQIPËRINË PËR NUMRIN E LINDJEVE DHE VDEKJEVE MUND TË MOS JENË REFLEKTUAR NË REGJISTRAT PËRKATËS. KËSISOJ, TË DHËNAT DO TË JENË OBJEKT RISHIKIMI GJATË TREMUJORIT TË DYTË 2020 DHE DO TË RIVLERËSOHEN.
Sipas rretheve, rënia më e madhe është shënuar në Shkodër, Durrës dhe Dibër, ndërsa Tirana ka shënuar tkurrjen më të lehtë. Vetëm në Korçë janë raportuar rritje të vdekjeve.
Tremujori i parë 2020 përkon me përhapjen e pandemisë së Covid-19, që kulmoi në muajin mars e prill. Por për fat të mirë, Shqipëria ka pasur një numër të ulët vdekjesh të raportuara nga kjo sëmundje, ndryshe nga shteti fqinj Italia. Deri tani janë raportuar në vend 31 humbje jete nga Covid-19.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor