Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se për shqiptarët të cilët janë gjobitur nga autoritetet greke është folur që të rishikohen masat.
Kjo do të ndodhë sipas Ramës, për të gjithë gjobat që janë marrë vetëm për efektet nga pandemia e COVID-19 ndërsa për rastet flagrante ato do vazhdojnë.
Nëse autoritetet greke nuk anulojnë gjobat, shtoi Rama, ato do rimbursohen nga qeveria.
“Zyra ime ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet greke, pas lajmit të bërë publik të gjobitjes së disa shtetasve shqiptarë që kanë tejkaluar afatin 90 ditor të qëndrimit në Greqi gjatë muajve të fundit. Autoritetet greke do të rishikojnë të gjitha gjobat e vendosura, ndërkohë kanë siguruar se në kohëzgjatjen e pandemisë vendosja e gjobave do të ndodhë vetëm në rastet flagrante, ku shkelja e afateve nuk ka lidhje me situatën e krijuar nga Covid19.
UNË I SIGUROJ TË GJITHË QYTETARËT SHQIPTARË të cilëve autoritetet greke nuk do t’ua anulojnë gjobën, se do të rimbursohen në masën 100% NGA QEVERIA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”-shkruan Rama.