Ish-drejtoresha e Tatimeve, Brisida Shehaj ka folur për herë të parë për largimin nga ky pozicion ndërsa ishte e ftuar në emisionin “Tempora” të gazetares, Sonila Meço. Ka folur për shembjen e Teatrit dhe arsyet pse ka qenë në protestë, duke zbuluar gjithashtu për herë të parë se edhe pse është socialiste nuk e ka votuar Erion Veliajn për kryebashkiak.
Lidhur me largimin e saj nga Tatimet, Shehaj thotë se nuk e hoqi njeri, por ishte vendimi i saj për t’u larguar pasi nuk e ndjente më veten pjesë të atij ekipi. Ajo thotë se vetë nuk do të flasë, por nëse kryeministri dëshiron të thotë gjithë të vërtetën ai është i lirë ta bëjë këtë.
“Deri në momentin e caktuar që idete e tua janë pjesë e një ekipi, deri në momentin që ti e gjen vetën pjesë të atij ekipi më pas largohesh. Mua nuk më largoj, nuk më hoqi njeri. Ishte një vendimarrje e imja për tu larguar sepse nuk e ndjeja më vetën pjesë të atij ekipi. Dorëheqja ime ka qenë një histori shumë e bukur por që nuk më takon mua ta them. Nuk preferoj të flas sidomos për diçka që ka ndodhur mes meje, Kryeministrit apo asaj pjesë të administratës. Në qoftë se do të dojë ndonjë ditë Kryeministri t’i përgjigjet këtyre pyetjeve është i lirë nga unë ka leje të tregojë të gjithë të vërtetën. Unë kam dhënë një dorëheqje dhe nuk kam preferuar të qëndroj më.”- tha Shehaj.
Gazetarja vazhdoi ta pyeste më tej Shehajn nëse ishte një e penduar e Rilindjes e ajo u përgjigj: “Jo s’kam pse të jem e penduar. Unë kam bërë një punë që unë e gjykoi shumë të mirë. Jam i gatshëm të përballem me këdo për çdo shifër, për cdo gram të atij institucioni. Unë i mbaj mend edhe sot sepse unë punoja nga ora 8 e mëngjesit deri në 3 të natës. Kam bërë më të mirën e mundshme, kjo ishte më e mira e imja. Do isha penduar po të kisha bërë ndonjë gabim, unë nuk kam bërë asnjë gabim, nuk kam bërë asnjë faj”.
Më pas, e pyetur nëse e priste që kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj të arritin deri këtu duke iu referuar shembjes së Teatrit, ajo tha se nuk preferonte të fliste për këtë të dytin, duke zbuluar se as nuk e ka votuar.
“ Ah, kjo është pfff… arsyeja pse unë isha aty. E para, flas për zotin Rama se për zotin Veliaj nuk dua të shprehem. Unë nuk e kam votuar zotin Veliaj dhe nuk pres ndonjë gjë të madhe nga z. Veliaj. Absolutisht që unë jam e majtë. PS ka pikërisht këtë vlerë, lirinë e saj. Dhe ne nuk na diktonte. Mua nuk më merrte ndonjëherë kryeministri në telefon të më thoshte kë të votoja apo çfarë të firmosja.
Sepse nuk pashë një njeri që të kishte program. Unë në 2019 nuk kam vajtur fare të votoj dhe të votoj z. Veliaj. Nuk kishte as program, as platformë, në asgjë. Sa për zotin Rama më pas, është një njeri që e kam votuar, e kam votuar me bindje të plotë që ai do bënte ndryshime dhe që ne do të ishim ndryshe. Kur shoh ato pamjet, ajo ishte arsyeja që unë isha aty. Nuk ishte e nevojshme. Unë sot nuk di ti jap një përgjigje pyetjes Pse. Unë dua të them atë që më duket normale dhe më duket ligjore. Në momentin që këta njerëz abstragojnë nga kjo rruga normale dhe rruga ligjore, unë do jem prap te sheshi, qoftë Edi Rama, qoftë babai im, qoftë nëna ime.”, është shprehur ish-drejtoresha e Tatimeve.
Më tej ajo dha dhe arsyet se pse ishte kundër shembjes së Teatrit dhe pse beson se kjo është bërë kundra ligjit.
“Veprimet që ndodhën aty nuk ishin të nevojshme, sepse ti sot që të kishe urgjencë për ta prishur duhet të ksihe disa gjëra minimale. E para njëherë duhet të kishte një prokurorim dhe një tenderim për atë projektin që është bërë atje, që nuk ka. E dyta duhej të kishte një arkim fondesh, që nuk ka dhe jemi në maj. Po përfundon dhe maji. Buxheti për 2020 mund të ndryshojë në bashki nuk e di në tetor a në nëntor dhe nuk e di se çfarë do ndodhë sepse atëhere flitet se do fillojë puna për Teatrin. Nuk kemi një kompani të zgjedhur për ndërtimin.
Për çfarë duhet që kur të shkojnë të shohin ku di unë atë bunkerin atje se kishte vlera më të mëdha bunkeri… asaj. Kur të shkojnë të shohin Bunkartin dhe do kalojnë te Ministria e Brendshme është e turpshme që turistët e huaj të shohin atë gërmadhën. Është e turpshme dhe kjo është arsyeja pse unë isha në atë protestë.”- thotë Shehaj.
Sot Shehaj është drejtoresha e programacionit në RTV Ora.