Vendosni fjalën kyçe....

Kë po shantazhon ambasadorja amerikane?!


Një postim i ambasadores së SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, se ekzistojnë fjalë për një marrëveshje të fshehtë për të vrarë Reformën në Drejtësi është një kambanë alarmi drejtuar politikës shqiptare.

Vetëm pak ditë më parë Ambasadorja zhvilloi një takim me Kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani i cili është edhe personi, pozicioni apo veprimet e të cilit kanë shkaktuar një konflikt mes mazhorancës dhe Presidentit Ilir Meta.

Ky konflikt ka derivuar deri në bllokimin apo përplasjen për emrat në Gjykatën Kushtetuese e cila qëndron prej vitesh e bllokuar, bashkë me të cilën edhe disa vendime të rëndësishme lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit 2019, apo edhe vetë interpretimin e dekreteve të Kreut të Shtetit mbi këto zgjedhje.

Çështja e Dvoranit, konflikti për emrat në Kushtetuese, solli edhe tubimin e 2 marsit të Presidentit Ilir Meta i cili ngriti alarmin se po shkelet Kushtetuta.

Pas kësaj me shpërthimin e epidemisë, politika hyri në një bllokim të debatit publik dhe përplasjeve politike. Madje edhe pranimi nga Presidenti për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme u duk si shkelje syri ndaj Ramës.

Kur dukej se shpërthimi i epidemisë kishte sjellë qetësinë politike në vend, shembja e Teatrit Kombëtar e riktheu opozitën e bashkuar në protesta.

Kjo shembje e beftë nga mazhoranca pa marrë edhe përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese, bëri që Presidenti i Republikës të reagonte fort, duke e quajtur një projekt mafioz dhe shkombëtarizues.

Në këto momente debati politik është i ndezur, madje bëri që opozita të tërhiqej edhe nga tryeza e Reformës Zgjedhore. Për këtë edhe lideri i Partisë Demokratike u shpreh se nuk do të bënte kurrë një marrëveshje me Ramën.

Këto lëvizje politike, kanë bërë që ambasadorët e përfaqësive të huaja të bëjnë diplomacinë “ecejak” në zyrat e drejtuesve partiakë.

Madje Yuri Kim, kryediplomatja amerikane, pas disa takimeve në ditët e fundit edhe për reformën zgjedhore, po ndërhyn në mënyrën si po punojnë palët politike për vënien në funksion të reformës në drejtësi.

Ndërsa postimi i sotëm, se ka fjalë për një marrëveshje prapa krahëve për të minuar Reformën në Drejtësi tregon presion të hapur në sferën politike.

Basha është vetëdistancuar nga një marrëveshje e tillë e dyshuar nga ambasadorja amerikane duke shigjetuar maxhorancën.

Kryedemokrati tha se çdo ndryshim nga parlamenti aktual është i paligjshëm dhe do sjellin kapjen e sistemit të drejtësisë.

Çdo ndryshim kushtetues ose ligjor në lidhje me reformën në drejtësi nga parlamenti aktual është i paligjshëm. Ndryshime të tilla u shërbejnë vetëm atyre që përdorin fuqinë e tyre për të përdredhur dhe minuar reformën dhe për të kontrolluar dhe kapur politikisht sistemin e drejtësisë”-shkruan Basha.

A po i bën shantazh dikujt ambasadorja amerikane Yuri Kim?

Ku po pengohet Reforma në Drejtësi që bëri të reagonte në këtë mënyrë kryediplomatja?

Cilët janë palët që kanë bërë marrëveshjen për ndryshimin e Reformës në Drejtësi?

Po tenton ta shkatërrojë reformën në drejtësi Rama, Basha apo presidenti Meta?!

A ka bazë vërtetësie shantazhi i ambasadores amerikane?!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *