Ministri i Brendshëm Lleshaj tha se prioriteti i tij është pamundësimi i rrëzimit të shtetit sa herë që grupe të caktuara me agjendë politike ushtrojnë dhunë.
Lleshaj foli në seancën e sotme në Kuvend se nuk mund të ketë kulturë kur ka dhunë mes njerëzve.
“Ditët e fundit jemi bërë pjesë e një debati për çështjen e teatrit. Ngatërrimi i politikës me teatrin sidomos me Ministrinë e Brendshme, nuk është normale. S’mund të ketë kulturë, kur kemi dhunë mes njerëzve. Keni targetuar policinë e shtetit, në një diskutim për kulturën, në një absurd konceptual. Policia është parakusht që industria të zhvillohet, kultura të zhvillohet. E keni ndjekur rëniet e shtetit shqiptar disa herë. Një ndër prioritet e mëdha që ndjek si ministër i Brendshëm është që të mundësojmë që ky shtet shqiptar mos të rrëzohet sa herë grupe të caktuara kanë një axhendë politike përmes dhunës.” – tha Lleshaj.
Sipas ministrit, se Shqipëria nuk mund të mendohet pa policinë duke sjellë si shembull ngjarjet e marsit 1997.
Lleshaj tha gjithashtu se duhet të ketë reflektim më të madh dhe se gjatë protestës së 17 majit janë plagosur 7 efektivë.
“Çfarë duhet të bënte policia në 17 maj? Çfarë duhet të bënte policia gjatë protestave të dhunshme të 2019? Cfarë duhet të bënte policia gjatë tërmetit, apo pandemisë? Çfarë duhet të bënte në 17 maj. A e mendoni Shqipërinë pa të, pa policinë?! Nëse mendoni se po, kujtoni 12 marsin e 1997. Do doja të kishte reflektim të madh polik, por dhe shoqëror. Në 17 maj pati konfrontime mes policisë dhe qytetarëve. Kronika regjistroi 7 policë të plagosur në spital dhe asnjë person të lënduar.” – shtoi ministri.