Që në nisje të seancës së sotme parlamentare, deputeti Ralf Gjoni ka kërkuar ndërprerjen e saj dhe ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të hetuar shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Madje Gjoni u vetëofrua që ta drejtojë këtë komision nëse dikush tjetër nuk mundet ta bëjë.
“Ka shumë dritëhije, më tepër hije në këtë ngjarje të shëmtuar, ka paqartësi, mungesë transparence, mungesë e provave e transferimit të pronësisë së godinës nga qeveria te bashkia. Duke marrë në konsideratë rolin tim si deputet dua t’ju kërkoj juve sot të mblidhni kryetarët e grupeve, duke pezulluar në këtë moment seancën duke ngritur një komision hetimor parlamentar që të marrë në konsideratë zbardhjen e kësaj ngjarje, që ka shkaktuar kaq shumë mllef dhe zemërim. Kush nuk ka këllqe unë vetëofrohem që ta drejtoj këtë komision dhe hajde ta hetojmë këtë ngjarje”, tha Gjoni.
Kreu i Kuvendit Gramoz Russi iu përgjigj Gjonit se për këtë çështje do të kërkojë një interpelancë me qeverinë.